Skip to Content

UBT firmos marrëveshje bashkëpunimi me Western Balkans University

Universiteti Bujqësor i Tiranës firmosi një marrëveshje bashkëpunimi me Western Balkans University, duke forcuar më tej rrjetin e partneriteteve akademike.

Marrëveshja, e nënshkruar nga Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Fatbardh Sallaku, dhe Rektori i Western Balkans University, Prof. Dr. Ferdinand Gjana, krijon një kuadër të qëndrueshëm bashkëpunimi ndërinstitucional, me fokus zhvillimin akademik, kërkimin shkencor dhe shkëmbimin e përvojave mes dy institucioneve të arsimit të lartë.

Të dy rektorët e vlerësuan si shumë të rëndësishëm këtë hap i cili i sjell më afër universitetet nisur nga interesi i përbashkët për bashkëpunim dhe shkëmbimin e përvojave dhe njohurive në zhvillimin e mësimdhënies dhe kërkimit, si dhe në kuadër të përpjekjeve për të zgjeruar kontaktet mes universiteteve.

Në qendër të kësaj marrëveshje qëndron angazhimi për të zgjeruar aktivitetet e përbashkëta shkencore, realizimin e studimeve dhe projekteve kërkimore, si dhe nxitjen e mobilitetit të studentëve dhe personelit akademik. Marrëveshja parashikon gjithashtu shkëmbimin e botimeve akademike, pjesëmarrjen në konferenca dhe krijimin e hapësirave të përbashkëta për publikime shkencore.

Marrëveshja thekson respektimin e autonomisë akademike dhe zbatimin e standardeve evropiane të integritetit në kërkimin shkencor, duke garantuar bashkëpunim të bazuar në parime etike dhe cilësi akademike.