Universiteti Bujqësor i Tiranës vijon të zgjerojë bashkëpunimin me institucionet e arsimit parauniversitar, duke mirëpritur në kampusin e tij Drejtorët e shkollave të mesme dhe profesionale të Bashkisë Kamëz. Takimi kishte në fokus prezantimin e programeve të studimit të universitetit dhe krijimin e mundësive të reja bashkëpunimi në shërbim të orientimit akademik të maturantëve.
Gjatë këtij takimi u diskutua për ndërtimin e një bashkëpunimi më të ngushtë mes UBT dhe shkollave të mesme, përmes organizimit të aktiviteteve të përbashkëta, vizitave informuese të maturantëve në kampusin universitar dhe prezantimeve orientuese që i ndihmojnë të rinjtë të njihen nga afër me programet e studimit dhe perspektivat profesionale që ofron universiteti.
Rektori i Universitetit Bujqësor të Tiranës, Prof. Dr. Fatbardh Sallaku, prezantoi përpara drejtorëve reformën e thellë që UBT ka ndërmarrë në vitet e fundit për ristrukturimin e programeve të studimit dhe rritjen e cilësisë akademike. Ai theksoi se ky transformim po realizohet në bashkëpunim dhe me asistencën akademike të Universitetit BOKU në Vjenë, një prej institucioneve më prestigjioze në Evropë në fushat e bujqësisë, mjedisit dhe shkencave të jetës.
Në diskutime u nënvizua rëndësia e orientimit të hershëm të maturantëve drejt studimeve universitare dhe njohjes së tyre me mundësitë që ofron UBT, duke përfshirë programet e reja të studimit, laboratorët, infrastrukturën akademike dhe rrjetin e bashkëpunimeve ndërkombëtare.





