Kënaqësi e veçantë të nënshkruanim sot një Memorandumi Mirëkuptimi (MoU) ndërmjet Universitetit Bujqësor të Tiranës dhe Ministrisë së Mjedisit, qe perben një hap te rëndësishëm drejt forcimit të rolit të ekspertizës akademike te UBT në mbështetje të qeverisjes mjedisore dhe zhvillimit të qëndrueshëm në Shqipëri.
Kjo partneritet njeh zyrtarisht rolin në rritje të Universitetit Bujqësor të Tiranës si një qendër ekspertize në fushat e mjedisit, menaxhimit të ujërave dhe pylltarisë, duke garantuar që projektet, studimet dhe nismat teknike në këta sektorë të përfitojnë nga njohuritë shkencore dhe kapacitetet profesionale të universitetit bujqesor te Tiranes.
Një shtyllë qendrore e kësaj marrëveshjeje është angazhimi i përbashkët për forcimin e kapaciteteve institucionale për mbështetjen e Shqipërisë në përmbushjen e kërkesave të Kapitullit 27 të acquis të Bashkimit Evropian, që lidhet me mjedisin dhe klimën.
Përmes kërkimit shkencor, ekspertizës profesionale dhe angazhimit akademik, Universiteti Bujqësor i Tiranës do të kontribuojë drejtpërdrejt në përgatitjen dhe zbatimin e standardeve të harmonizuara me ato të Bashkimit Evropian.
Kjo marreveshje i hap rrugë dhe mundesi te gjithe të diplomuareve te Universitetit Bujqësor të Tiranës në fushat e inxhinierisë së mjedisit dhe ujërave dhe pylltarisë, për t’u punesuar dhe bërë pjesë e agjencive në varësi të Ministrisë së Mjedisit, duke forcuar lidhjen ndërmjet formimit akademik, institucioneve publike dhe prioriteteve mjedisore të vendit.
Ky bashkëpunim pasqyron vizionin më të gjerë që Universiteti Bujqësor i Tiranës po zbaton nën mentorimin akademik të BOKU University Vienna, një nga universitetet më të njohura në Evropë në fushat e shkencave mjedisore, menaxhimit të ujërave dhe pylltarisë.
Përmes partneriteteve të tilla, Universiteti Bujqësor i Tiranës vijon të vendosë dijen, ekspertizën shkencore dhe brezin e ri të profesionistëve në shërbim të së ardhmes mjedisore të Shqipërisë dhe rrugëtimit të saj evropian.







