Skip to Content

UBT mikpret takimin vjetor të projektit ndërkombëtar PHITO


​Në ambientet e Universitetit Bujqësor të Tiranës u zhvillua për dy ditë me radhë takimi vjetor i projektit PHITO – “Platform for Helping Small and Medium Farmers to Incorporate Digital Technology for Equal Opportunities”, i financuar nga programi “Horizon Europe”.

UBT është partner zbatues në këtë projekt, i cili koordinohet nga Wageningen University, Holandë dhe synon të mbështesë fermerët e vegjël dhe të mesëm në integrimin e teknologjive dixhitale, duke krijuar mundësi të barabarta zhvillimi dhe duke promovuar inovacionin në bujqësi.

Në këtë takim morën pjesë 18 partnerë ndërkombëtarë nga Holanda, Italia, Portugalia, Aruba, Spanja, Hungaria dhe Austria, të cilët ndanë përvojat dhe diskutuan progresin e projektit gjatë vitit të dytë të zbatimit.

Gjatë ditës së parë, pjesëmarrësit u përfshinë në një sërë prezantimesh dhe diskutimesh plenare që nisën me mirëseardhjen nga UBT dhe një pasqyrë të ecurisë së projektit gjatë vitit të kaluar. Partnerët e grupeve të punës prezantuan progresin e aktiviteteve për periudhën tetor 2024 – tetor 2025, ndërsa më pas u zhvilluan sesione interaktive mbi zhvillimin e degëve të platformës PHITO dhe testimin e versionit Alpha të aplikacionit PHITO.

Në vijim, u diskutua plani i qëndrueshmërisë dhe modeli i biznesit të projektit, në bashkëpunim me Quadraat Global, Cambisol dhe Smartfarming.

Dita e dytë e takimit iu kushtua rrugëve të tranzicionit drejt bujqësisë dixhitale, prezantimit të fermave model “Lighthouse Farms”, si dhe diskutimeve mbi përfshirjen sociale dhe sfidat e ardhshme të projektit. Në këto diskutime, partnerët ndanë ide për forcimin e bashkëpunimit dhe komunikimit ndërinstitucional, ndërsa takimi u përmbyll me një sesion të hapur për menaxhimin e projektit (Project Management AMA) të udhëhequr nga Wageningen University.

Takimi u përmbyll me sukses, duke përcaktuar prioritetet për fazën e ardhshme të projektit dhe duke rikonfirmuar rolin e Universitetit Bujqësor të Tiranës si një partner aktiv në projektet kërkimore që nxisin transformimin dixhital dhe zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë.