Skip to Content

UBT mirëpret Prof. Dr. Franz Ottner nga Universiteti BOKU

Universiteti Bujqësor i Tiranës pati kënaqësinë të mirëpriste Prof. Dr. Franz Ottner nga Universiteti i Burimeve Natyrore dhe Shkencave të Jetës (BOKU), Vjenë, Austri, gjatë datave 10–16 maj 2026. Vizita e Prof. Dr. Franz Ottner u organizua në kuadër të projektit AUT–BOKU 2030.


I ftuar nga Prof. Dr. Aida Bani, pedagoge në Departamentin e Mjedisit dhe Burimeve Natyrore, Prof. Ottner zhvilloi leksione për studentët e programeve Bachelor dhe Master në Inxhinieri Mjedisi dhe Ujërash, si dhe Agronomi. Leksionet u fokusuan në tema që lidhen me Gjeologjinë e Përgjithshme, Mineralogjinë, Shkencën e Tokës, Rehabilitimin e Tokës dhe Zgjidhjet e Bazuara në Natyrë.


Leksionet u ndoqën me shumë vëmendje dhe interes nga studentët. Prof. Ottner ofroi shpjegime të qarta dhe njohuri të vlefshme mbi mineralogjinë e argjilave dhe potencialin e saj për aplikime në rehabilitimin mjedisor dhe menaxhimin e qëndrueshëm të tokës. Veçanërisht i dobishëm për studentët ishte informacioni mbi mineralet që shërbejnë si burime natyrore të makro- dhe mikroelementeve të domosdoshëm për rritjen e bimëve dhe pjellorinë e tokës.


Studentët treguan gjithashtu interes të madh për teknikat XRD (Difraksioni me Rreze X), të përdorura për identifikimin mineralogjik. Kureshtja dhe angazhimi i tyre u reflektuan në pyetjet e shumta drejtuar profesorit gjatë leksioneve.


Po ashtu, leksionet u ndoqën me interes të veçantë edhe nga studentët e doktoraturës të Fakultetit të Bujqësisë dhe Mjedisit, të cilët përfituan njohuri të thelluara mbi ndikimin e mineralogjisë së tokës në vetitë e saj dhe në ushqyerjen e bimëve.


Prej dy vitesh, Prof. Dr. Franz Ottner bashkëpunon me Prof. Dr. Aida Bani dhe doktoranten e saj, asistente pedagoge Teuta Bushi, në kuadër të projektit të bashkëpunimit UBT–BOKU. Ky bashkëpunim ka sjellë disa publikime shkencore, përfshirë studime inovative mbi sjelljen e tokës në lidhje me mineralogjinë e argjilave.


Prof. Ottner mori pjesë edhe në Konferencën CASEE 2026, e zhvilluar në Universitetin Bujqësor të Tiranës gjatë datave 11–13 maj 2026, ku ishte bashkautor i prezantimit të mbajtur nga Prof. Dr. Aida Bani me titull: “Reducing Nickel Transfer to Crops in Ultramafic Soils Using Nature-Based Solutions”.


Gjithashtu, ai mori pjesë në një ekspeditë studimore në daljet ultramafike të Tropojës, në veri të Shqipërisë, ku u mblodhën mostra toke përgjatë një toposekuence ultramafike të formuar nën ndikimin e klimës mesdhetare malore.


Kjo vizitë kontribuoi më tej në forcimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit dhe marrëdhënieve akademike ndërmjet institucioneve tona.