Universiteti Bujqësor i Tiranës vijon të përfaqësohet denjësisht në aktivitetet shkencore ndërkombëtare. Më 20 maj 2026, në Universitetin e Tetovës në Maqedoninë e Veriut, u organizua Kongresi Ndërkombëtar “From Research to Application”, një aktivitet që mblodhi studiues, pedagogë dhe ekspertë nga universitete dhe institucione të ndryshme të rajonit dhe më gjerë.
Në sesionin plenar të kongresit, Prof. Dr. Etleva Delia nga Fakulteti i Bujqësisë dhe Mjedisit dhe Dr. Sanije Zejnelhoxha nga Fakulteti i Bioteknologjisë dhe Ushqimit përfaqësuan Universitetin Bujqësor të Tiranës si “Keynote Speakers”, duke prezantuar punimet dhe kontributet e tyre shkencore përpara pjesëmarrësve të konferencës.
Pjesëmarrja e tyre në këtë forum ndërkombëtar konfirmon angazhimin e UBT-së në forcimin e bashkëpunimit akademik dhe shkencor në rajon, si dhe rolin aktiv të stafit akademik në promovimin e kërkimit shkencor dhe shkëmbimit të eksperiencave profesionale.
Tashmë është krijuar një traditë e shkëlqyer bashkëpunimi, ku Universiteti Bujqësor i Tiranës, kontribuon në mënyrë aktive në këtë event të rëndësishëm shkencor, duke rritur prezencën dhe profilin ndërkombëtar të universitetit në arenën akademike.





