Skip to Content

UBT organizon konferencën ndërkombëtare CASEE “Next Stop Europe 2026” për të ardhmen e arsimit në bujqësi dhe shkencat e jetës

Universiteti Bujqësor i Tiranës do të jetë organizatori i konferencës ndërkombëtare “Next Stop Europe 2026- Formësimi i së ardhmes së arsimit në bujqësi dhe shkencat e jetës”, një event i rëndësishëm që synon të sjellë në fokus zhvillimet më të fundit në këto fusha.


Konferenca do të zhvillohet në datat 11–13 maj 2026 në Tiranë, duke mbledhur akademikë, studiues, ekspertë dhe përfaqësues të institucioneve nga vende të ndryshme të Evropës dhe rajonit të Evropës Qendrore dhe Lindore. Ky aktivitet organizohet në bashkëpunim me rrjetin ndërkombëtar CASEE (Central and Eastern Europe), duke e pozicionuar UBT-në si një aktor kyç në zhvillimet akademike dhe kërkimore në këtë fushë.


Tema e konferencës lidhet me zhvillimin e arsimit në bujqësi dhe përshtatjen e tij me sfidat e kohës, si ndryshimet klimatike, siguria ushqimore dhe teknologjitë e reja.


Në kuadër të kësaj konference, organizatorët kanë shpallur edhe afatet kryesore për pjesëmarrje. Afati për dorëzimin e abstrakteve është 15 prill 2026, ndërsa punimet e plota duhet të dorëzohen deri më 30 prill 2026. Të interesuarit mund të regjistrohen dhe të marrin më shumë informacion përmes faqes zyrtare të UBT-së.


Ky aktivitet përfaqëson një tjetër hap të rëndësishëm për Universitetin Bujqësor të Tiranës në drejtim të forcimit të bashkëpunimeve ndërkombëtare dhe rritjes së cilësisë së arsimit dhe kërkimit shkencor, duke e kthyer atë në një qendër referimi në rajon për bujqësinë dhe shkencat e jetës.