Një workshop shkencor kushtuar analizës së rreziqeve mjedisore që vijnë nga aktivitetet industriale, u organizua nga Universiteti Bujqësor i Tiranës me fokus rastin e ish-uzinës së superfosfatit në Laç, më shumë se 25 vite pas ndërprerjes së funksionimit të saj.
Në bashkëpunim me Universitetin e Lorrenës (Université de Lorraine), Nancy – Francë dhe programin READ, ky aktivitet bëri bashkë pedagogë, studiues dhe studentë të fushave të mjedisit dhe shkencave natyrore.
Workshopi u hap me fjalën përshëndetëse të Rektorit të UBT, Prof. Dr. Fatbardh Sallaku, i cili theksoi rëndësinë e kërkimit shkencor dhe bashkëpunimeve ndërkombëtare për adresimin e sfidave mjedisore në Shqipëri.
Projekti u prezantua hollësisht nga Dr. Erdona Demiraj, koordinatore e projektit, e cila ka punuar së bashku me studiueset Dr. Irena Duka dhe Dr. Nereida Malo. Studimi trajtoi profilizimin e ndotjes nga metalet e rënda dhe ndikimin e saj në ekosisteme dhe në shëndetin e njerëzve. Ndikimi mjedisor i ish-uzinës së superfosfatit në Laç vazhdon të jetë prezent edhe pas gati cerek shekulli pasi kjo uzinë është mbyllur duke sjellë efekte të drejtpërdrejta tek zonat përreth.
Ekspertët e mjedisit diskutuan ndër të tjera për masat e mundshme për zbutjen dhe menaxhimin e këtij rreziku.
Në aktivitet ishte i pranishëm Prof. Dr. Honoris Causa i UBT Ndue Kanari, Diaspora Fellow në Université de Lorraine, i cili ndau përvojën e bashkëpunimit akademik ndërkombëtar dhe rëndësinë e integrimit të kërkimit shkencor në adresimin e problemeve mjedisore.
Përfaqësues të programit READ nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) të cilët janë donatorët e projektit, përshëndetën aktivitetin, duke theksuar mbështetjen për zhvillimin e kapaciteteve kërkimore dhe për forcimin e bashkëpunimit akademik ndërkombëtar.
Gjatë sesioneve të workshopit, pedagogë dhe ekspertë të UBT trajtuan problematika të ndryshme që lidhen me ndotjen mjedisore. Prof. Dr. Seit Shallari, Dekan i Fakultetit të Bujqësisë dhe Mjedisit, paraqiti një analizë të situatës aktuale të ndotjes nga metalet e rënda, ndërsa Prof. Dr. Ferdi Brahushi trajtoi çështjet që lidhen me ndotjen nga pesticidet dhe substancat organike.
Në pjesën përmbyllëse të aktivitetit, studentët e programeve MSc të UBT prezantuan punimet e tyre në një sesion posterash, gjë që dëshmoi angazhimin e tyre aktiv në kërkimin shkencor, duke kontribuar me ide dhe analiza konkrete për problematikat mjedisore.
Më shumë për studimin:
Qëllimi i studimit ishte të vlerësohej përmbajtja dhe lëvizshmëria e metaleve të rënda në tokë, si dhe të kuptohej se si këta elementë janë transformuar në mjedis pas më shumë se 25 vitesh nga mbyllja e aktivitetit industrial në fillim të viteve 2000 dhe qe ende prekin 250 banorë Brenda perimetrit te kesaj Uzine. Kampionet e tokës u analizuan përmes teknikave të avancuara laboratorike, duke përfshirë analizat mineralogjike me mikroskop elektronik (SEM), analizat elementare me ICP, AAS Analytic Jena dhe studimin e kushteve gjeokimike - termodinamike përmes parametrave Eh dhe pH.
Rezultatet tregojnë se në disa zona pranë ish-uzinës janë identifikuar përqendrime të konsiderueshme të metaleve si arseniku (0.3%) ose 300 herë me shume se në tokat natyrore, bakri (2.5 %) ose 500 fish me shume se në toka natyrore 0.006 % si dhe kadmiumi dhe plumbi që ndjekin të njëjtin trend. Megjithatë, analizat e fraksionimit kimik tregojnë se një pjesë e madhe e këtyre elementeve është e lidhur me faza minerale të tokës, veçanërisht me oksidet e hekurit, gjë që kufizon mobilitetin e tyre në kushte normale mjedisore. Për të që sa më afër kushteve reale në terren vijimi i studimit do te ndermerret nje eksperiment ne fluks te vazhduar per te pare se si sillen kampionet me nivele te larta te ndotjes në trajtimin me biochar dhe biochar te aktivizuar, me qellim imobilizimin e metaleve dhe mos transferimin ne ujrat nentoksore dhe zinxhirin ushqimor. Gjithashtu ky studim do te shtrihet edhe ne monitorimin afatgjate te ujrave te puseve me qellim evidentimin ne kushet reale dhe te shtrira ne kohe te ndryshushmerise se metaleve ne keto ujra.
Studimi thekson rëndësinë e monitorimit të vazhdueshëm të zonave me ndotje historike industriale dhe nevojën për zhvillimin e strategjive të rehabilitimit të tokës, të cilat mund të përfshijnë stabilizimin e metaleve përmes materialeve amenduese ose teknikave të menaxhimit mjedisor. Këto gjetje kontribuojnë në kuptimin më të mirë të proceseve gjeokimike që kontrollojnë mobilitetin e metaleve në tokat e kontaminuara dhe ofrojnë një bazë shkencore për menaxhimin e qëndrueshëm të këtyre zonave. Gjithashtu nëpërmjet ketij studimi studentet marrin nje informacion te plote se si duhet te pergatisin nje plan menaxhimi per hotspotet te cilat jane trasheguar ne Shqiperi qe para viteve `90 si dhe krijohen njohuri te thella shkencore per te perditesuar kurikulat me raste studimore konkrete vendin tone.

















