Skip to Content

UBT, partneritet për kërkim shkencor në zinxhirin e vlerës së ullirit

Dje, në ambientet e Rektoratit të UBT-së, patëm kënaqësinë të mirëprisnim znj. Angjelina Belaj, Përgjegjëse e Bankës Botërore të Gjermoplazmës së Ullirit në Qendrën Shkencore “Alameda del Obispo” në Kordoba (Spanjë), si edhe z. Hristofor Miho, Lektor në Universitetin e Kordobës (UCO), Spanjë, me një përvojë. Ky takim u zhvillua në vijim të Forumit Shkencor “Ulliri Dhe Vaji i Ullirit – Prodhime Tradicionale me Rëndësi të Veçantë Ekonomike për Vendin Tonë”, organizuar nga UBT në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë.

Biseda u fokusua në institucionalizimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve kërkimore spanjolle dhe UBT-së, me synim zgjerimin e ndërveprimit akademik dhe shkencor në të gjithë zinxhirin e vlerës së ullirit në Shqipëri. U vendos theksi tek rëndësia e ruajtjes dhe studimit të germoplazmës së varieteteve autoktone, forcimi i standardeve të cilësisë dhe sigurisë së vajit të ullirit, si dhe zhvillimi i praktikave që rrisin konkurrueshmërinë e produktit shqiptar në tregjet ndërkombëtare.

Një element me rëndësi të veçantë ishte edhe ndarja e eksperiencës spanjolle, një prej modeleve më të avancuara botërore në sektorin e ullirit, veçanërisht në raport me përmbushjen e standardeve europiane. Ky shkëmbim njohurish merr rëndësi të shtuar në kontekstin e objektivit të Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Europian në vitin 2030, duke e bërë harmonizimin e praktikave, politikave dhe standardeve një domosdoshmëri strategjike për sektorin.