Universiteti Bujqësor i Tiranës po merr pjesë në fushatën vullnetare veterinare “Strays of Albania – Safe Paws”, një iniciativë që bashkon ekspertë, studentë dhe organizata partnere për sterilizimin, kastrimin dhe vaksinimin e qenve dhe maceve në qytetin e Tropojës.
Aktiviteti organizohet në bashkëpunim me World Vets, Jahangiri Foundation, Bashkinë Tropojë, Autoritetin Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve (AKVMB) dhe Urdhrin Profesional të Mjekut Veterinar të Shqipërisë (UPMVSH) dhe vjen pas një memorandumi bashkëpunimi të nënshkruar më herët në UBT.
Fushata, e cila zhvillohet në datat 12–19 qershor 2026, synon të kontribuojë në menaxhimin e popullatës së kafshëve endacake, përmirësimin e mirëqenies së tyre dhe rritjen e sigurisë shëndetësore për komunitetin.
Aktivitetet nisën më 12 qershor me një leksion të hapur dhe Open Day në ambientet e Fakultetit të Mjekësisë Veterinare të UBT-së. Më 13 qershor pjesëmarrësit u nisën drejt Tropojës, ku u zhvilluan trajnimet për procedurat e kapjes, regjistrimit, ndërhyrjeve kirurgjikale dhe trajtimit post-operator të kafshëve.
Gjatë datave 14–15 qershor u realizua identifikimi, kapja dhe regjistrimi i qenve dhe maceve në zonat urbane të qytetit, ndërsa në periudhën 16–18 qershor po kryhen ndërhyrjet kirurgjikale për sterilizim, kastrim dhe vaksinim. Fushata do të përmbyllet në datat 18–19 qershor me monitorimin postkirurgjikal të kafshëve të trajtuara dhe përfundimin e misionit në terren.
Përmes kësaj nisme, UBT dhe partnerët e saj vijojnë të kontribuojnë në edukimin praktik të studentëve të veterinarisë, promovimin e shërbimeve veterinare dhe përmirësimin e standardeve të mirëqenies së kafshëve në Shqipëri.







