Universiteti Bujqësor i Tiranës mori pjesë në një workshop të përbashkët në kuadër të projekteve ndërkombëtare Eu4Rivers dhe AMORE-AL, me fokus ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe institucionale në monitorimin dhe vlerësimin e burimeve ujore.
Qëllimi kryesor i këtij aktiviteti ishte fuqizimi i kapaciteteve njerëzore për analizat e ujërave, si dhe trajnimi i specialistëve në fushën e monitorimit dhe menaxhimit të tyre, duke kontribuar në përmirësimin e standardeve mjedisore dhe menaxhimin e qëndrueshëm të burimeve ujore në vend.
Gjatë workshopit, Prof. Dr. Ferdi Brahushi, Përgjegjës i Departamentit të Mjedisit dhe Burimeve Natyrore prezantoi iniciativën për ngritjen e kapaciteteve edukuese pranë UBT, në kuadër të programit të ri Master Shkencor “Inxhinieri Mjedisi dhe Menaxhim Uji”. Ky program synon të përgatisë specialistë të kualifikuar për menaxhimin dhe mbrojtjen e burimeve ujore, duke iu përgjigjur nevojave në rritje të sektorit publik dhe privat.
Sipas Prof. Dr. Brahushit, kjo nismë synon rritjen e vizibilitetit të programit të ri studimor në institucionet publike dhe forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, veçanërisht në zhvillimin e kërkimit shkencor, përmirësimin e procesit të mësimdhënies dhe organizimin e trajnimeve profesionale në fushën e mjedisit dhe ujit.
Prof. Dr. Seit Shallari, Dekan i Fakultetit të Bujqësisë dhe Mjedisit theksoi kapacitetet e UBT për të ofruar trajnim në fushën e menaxhimit të cilësisë së ujërave. UBT ka krijuar qendrën e informacionit Gjeohapësinor dhe zhvillimit të qendrueshëm, e cila mund të përdoret për të ofruar shërbimet e trajnimit për të tretët.
Workshopi u organizua nga Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore (AMBU), në cilësinë e institucionit përgjegjës për menaxhimin e integruar të burimeve ujore, në kuadër të takimit të Grupit Ndërinstitucional të Punës, me mbështetjen e projektit EU4Rivers dhe në bashkëpunim me projektin AMORE-AL.
Përmes këtij workshopi dhe angazhimit në projekte ndërkombëtare, UBT konfirmon rolin e tij si një institucion lider në fushën e edukimit dhe kërkimit mjedisor, duke kontribuar në zhvillimin e politikave dhe praktikave të qëndrueshme për menaxhimin e burimeve natyrore.





