Skip to Content

UBT prezanton rezultatet e dy viteve të projektit AMORE-AL: Monitorim i avancuar i cilësisë së ujërave në Ishëm

Universiteti Bujqësor i Tiranës organizoi takimin në kuadër të projektit AMORE-AL, ku u prezantuan rezultatet e deritanishme dhe progresi i aktiviteteve kryesore të monitorimit mjedisor përmes instalimit të sistemit të parë automatik afatgjatë për monitorimin e cilësisë së ujërave në Shqipëri.

Takimi u hap me fjalën përshëndetëse të Rektorit të UBT-së, Prof. Dr. Fatbardh Sallaku. Më pas, Prof. Dr. Thomas Ertl, Koordinator i projektit AMORE-AL nga BOKU, dhe Koordinatori i Projektit nga UBT, Prof. Dr. Seit Shallari. Të pranishim ishin edhe përfaqësues nga TU Vienna, Project Ass.in Meiqi Liu, Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë së Menaxhimit të Burimeve Ujore, znj. Anila Shehu dhe znj. Liljana Lata nga Instituti i Gjeoshkencave (IGEO).

Projekti AMoRE-AL synon të forcojë bazën shkencore në menaxhimin e baseneve ujore në Shqipëri, duke harmonizuar praktikat më të mira ndërkombëtare të monitorimit me kërkesat e Direktivës Kuadër për Ujërat të Bashkimit Europian. Përmes një qasjeje të integruar që lidh monitorimin në terren me modelimin shkencor, projekti kontribuon në ndërtimin e inventarit të emetimeve dhe në mbështetjen e Planit të Menaxhimit të Baseneve Ujore.

Takimi u fokusua në zbatimin praktik të metodologjive të reja të monitorimit të cilësisë së ujërave, si dhe në analizën e të dhënave të mbledhura gjatë fazës së parë të projektit. Sistemi i parë automatik afatgjatë për monitorimin e cilësisë së ujërave në Shqipëri është vendosur pranë fshatit Derven, në lumin Ishëm. Sistemi është funksional që prej marsit 2025 dhe është pjesë e një projekti të financuar nga Austrian Development Agency, i implementuar në bashkëpunim me UBT dhe partnerë ndërkombëtarë akademikë.

Në kuadër të monitorimit të vazhdueshëm janë instaluar pajisje MiniDOT loggers në stacione të ndryshme monitorimi, përfshirë Derven dhe Tërkuza 2. Të dhënat e para tregojnë variacione të qarta sezonale dhe episode kritike të uljes së oksigjenit, të lidhura me prurjet dhe ngarkesat ndotëse, duke ofruar një pasqyrë të detajuar të dinamikës së cilësisë së ujit në kohë reale.

Gjatë takimit u prezantuan aktivitetet e zhvilluara në kuadër të projektit AMoRE-AL, ku doktorantët Fatos Huqi, Vjola Bakillari dhe Xhuljo Sema prezantuan kontributin e tyre në monitorimin e burimeve të ndotjes, ndërtimin e databazës dhe modelimin e emetimeve me anë të modeli MoRE (Modelling of Regionalized Emissions) në basenin e lumit Ishëm.

Aktivitete kryesore te monitorimit përfshijnë:

Monitorimini i cilësisë së ujit në lumë

Monitorimi realizohet përmes një rrjeti stacionesh përgjatë basenit të lumit Ishëm, me fushata të rregullta mostrimi dhe matje të vazhdueshme të oksigjenit të tretur dhe temperaturës me MiniDOT loggers.

Monitorimi i inputeve nga zonat bujqësore

Monitorimi kryhet në parcela eksperimentale në Universitetin Bujqësor të Tiranës (UBT), gjatë regjimeve natyrore apo simulimeve të shiut, për të vleresuar ndikimin e bujqësisë në cilësinë e ujërave.

Monitorimi i rrjedhjeve urbane sipërfaqësore

Monitorimi i ujërave të shiut në zonat urbane realizohet përmes sistemit automatik ISCO, duke analizuar ngarkesat e ndotëse nga sipërfaqet e papërshkueshme. 

Monitorimi i ujërave të ndotura dhe shkarkimeve industriale

Monitorimi realizohet me anë të mostrimit në sistemin e kanalizimeve përgjatë lumit Lana. Paralelisht është ndërtuar inventari i presioneve nga aktivitete industriale në bashkëpunim me institucionet përkatëse.

Monitorimi dhe kuantifikimi i ngarkesave në dalje të basenit

Për herë të parë në Shqipëri është instaluar një sistem Large Volume Sampler (LVS) për monitorim afatgjatë të cilësisë së ujit dhe kuantifikimin e ngarkesave ndotëse në dalje të basenit të lumit Ishëm.

Modelimi i Emetimeve të Rajonalizuara (Modelling of Regionalized Emissions – MoRE)

Një nga risitë kryesore të projektit është përdorimi i modelit MoRE (Modelling of Regionalized Emissions), i cili përdoret gjerësisht në vende si Austria dhe Gjermania për vlerësimin e emetimeve të ndotësve në nivel baseni.

Në kuadër të projektit AMoRE-AL, ky model po adaptohet për herë të parë për kushtet e Shqipërisë, duke integruar të dhënat e monitorimit, parametrat hidrologjikë dhe përdorimin e tokës për të analizuar burimet dhe ngarkesat e ndotjes në lumin Ishëm.

Projekti AMoRE-AL përfaqëson një hap konkret drejt menaxhimit të baseneve ujore të bazuar në të dhëna shkencore dhe standarde europiane, duke kontribuar në përmirësimin e politikave mjedisore dhe në procesin e integrimit europian të vendit.