Në kuadër të Misionit të 27-të BOKU–UBT, një pjesë e rëndësishme e diskutimeve iu kushtua reformimit të programeve të doktoratës dhe përafrimit të tyre me modelet e universiteteve evropiane. Diskutimet u zhvilluan me përfshirjen e ekspertëve të Universitetit BOKU të Vjenës, me në krye Prof. Dr. Hubert Hasenauer, drejtues i Misionit BOKU–UBT, dhe përfaqësuesve të Universitetit Bujqësor të Tiranës, të kryesuar në këtë proces nga Zv. Rektorja për Shkencën dhe Projektet, Prof. Dr. Erinda Lika.
Në fokus ishte ndërtimi i një modeli të ri, që synon ta lidhë më ngushtë formimin doktoral me kërkimin shkencor, projektet konkrete dhe bashkëpunimin ndërkombëtar, si një tjetër komponent i reformës së gjerë që po zbatohet në UBT.
Në qendër të modelit të ri është krijimi i një lidhjeje të drejtpërdrejtë mes temave të doktoratës dhe projekteve kërkimore që zhvillohen në Universitet. Pedagogët dhe kërkuesit e UBT-së që kanë fituar projekte kombëtare apo ndërkombëtare do të kenë mundësi të propozojnë tema doktorature të lidhura me objektivat, veprimtaritë dhe rezultatet e këtyre projekteve.
Kjo qasje synon që doktoratura të mos mbetet vetëm një proces individual akademik, por të shndërrohet në një angazhim të strukturuar kërkimor dhe profesional. Doktorantët do të kenë mundësi të përfshihen në grupe kërkimore, laboratorë, punë eksperimentale, mbledhjen dhe analizën e të dhënave, publikime shkencore, konferenca dhe mobilitete ndërkombëtare.
Mundësi financimi përmes projekteve
Një nga elementet e rëndësishme të reformës lidhet me financimin e doktorantëve. Projektet e mbështetura nga Bashkimi Evropian apo programe të tjera ndërkombëtare mund të krijojnë mundësi për financimin ose punësimin e tyre, kur kjo parashikohet nga rregullat, kohëzgjatja dhe buxheti i projektit.
Në këtë mënyrë, UBT synon të ndërtojë një model ku studimet doktorale lidhen më fort me kërkimin konkret, inovacionin dhe zhvillimin profesional, duke krijuar njëkohësisht më shumë mundësi për kërkuesit e rinj.
Doktoraturat hapen edhe për kandidatët ndërkombëtarë
Një tjetër drejtim i reformës është rritja e ndërkombëtarizimit të programeve të doktoratës. Në thirrjet përkatëse synohet të krijohet mundësia që të aplikojnë edhe kandidatë të huaj, duke respektuar kriteret akademike, kushtet për njohjen e diplomave dhe kërkesat e tjera ligjore e administrative.
Përfshirja e doktorantëve ndërkombëtarë pritet të nxisë krijimin e grupeve kërkimore ndërkombëtare, shkëmbimin e njohurive dhe metodave bashkëkohore, rritjen e publikimeve dhe bashkëpunimeve shkencore, si dhe zhvillimin e programeve dhe kërkimit në gjuhën angleze. Njëkohësisht, kjo do të kontribuojë në forcimin e partneriteteve me universitetet evropiane dhe rritjen e pjesëmarrjes së UBT-së në projektet e Bashkimit Evropian.
Një proces i hapur dhe konkurrues
Reforma parashikon që pranimi në doktoraturë të jetë një proces i hapur, transparent dhe konkurrues. Edhe në rastet kur një pedagog ka siguruar financim për një doktorant përmes një projekti, pranimi nuk do të jetë automatik.
Çdo kandidat, vendas apo i huaj, do të duhet të aplikojë përmes thirrjes zyrtare të Universitetit dhe t’i nënshtrohet procedurave të përcaktuara, përfshirë verifikimin e dokumentacionit, vlerësimin e projektpropozimit, intervistën dhe renditjen sipas meritës.
Përmes bashkëpunimit UBT–BOKU, Universiteti Bujqësor i Tiranës synon që organizimi i doktoraturave t’u afrohet më tej praktikave të universiteteve evropiane, duke krijuar një mjedis më tërheqës për kërkuesit e rinj nga Shqipëria dhe jashtë saj.
Doktoraturë e lidhur me kërkimin, mundësi financimi përmes projekteve, hapje ndaj kandidatëve ndërkombëtarë dhe bashkëpunim më i fortë me universitetet evropiane janë shtyllat kryesore të modelit të ri që synohet të ndërtohet në UBT.


