Skip to Content

Universiteti Bujqësor i Tiranës ju uron mirëseardhjen në Vitin e Ri Akademik 2025–2026!

Me fillimin e këtij viti të ri akademik, UBT hap dyert me energji, ambicie dhe vizion të ri për të ardhmen e arsimit, kërkimit dhe zhvillimit bujqësor në vendin tonë.

Një vit që sjell jo vetëm studentë të rinj dhe ëndrra të reja, por edhe një frymë të re bashkëpunimi, zhvillimi dhe ndërkombëtarizimi.

Në zemër të këtij transformimi qëndron oferta e re akademike, e riorganizuar me mbështetjen e partnerit strategjik, Universitetit BOKU të Vjenës – një ndër institucionet më prestigjioze në Evropë për shkencat bujqësore dhe mjedisore.

Teksa uroi studentët, Rektori i UBT, Prof. Dr. Fatbardh Sallaku theksoi se bashkëpunimi me Universitetin BOKU të Vjenës hap horizonte të reja për studentët tanë, duke sjell kurrikula të përbashkëta, programe të certifikuara ndërkombëtarisht, shkëmbime akademike dhe mundësi për t’u bërë pjesë e një komuniteti global të kërkimit dhe inovacionit.

Në ceremoninë e nisjes së vitit të ri akademik ishte i pranishëm edhe Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Z. Andis Salla, i cili ndërsa përshëndeti studentët tanë theksoi se MBZHR mbështet fort misionin tonë për ta bërë arsimin bujqësor një shtyllë solide të zhvillimit kombëtar e të qëndrueshëm.

Fjala e plotë e Ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Z. Andis Salla:

"I nderuar Rektor, Prof. Sallaku

Të nderuar pedagogë dhe profesorë,

Të dashur studentë, miq dhe të ftuar,

Është një kënaqësi e veçantë dhe një privilegj të jem sot këtu, në këtë ditë të bukur, ku hapim një kapitull të ri të jetës akademike. Ky moment është i veçantë, sepse çdo vit i ri akademik nuk është vetëm një fillim i ri, por një premtim për dije, për rritje dhe për realizimin e ëndrrave.

Së pari, dua të shpreh falënderimin tim më të thellë për stafin akademik të Universitetit Bujqësor të Tiranës. Ju, profesorë e pedagoge, jeni shtylla e dijes dhe përkushtimit. Ju formoni brezat që nesër do të udhëheqin transformimin e bujqësisë, të zhvillimit rural dhe të gjithë shoqërisë shqiptare.

Ky universitet ka një histori të gjatë e të lavdishme, duke formuar breza të tërë specialistësh dhe profesionistësh që kanë dhënë dhe japin kontribut të çmuar për zhvillimin e vendit tonë. Sot, më shumë se kurrë, Shqipëria ka nevojë për dijen, energjinë dhe vizionin tuaj. Sfida të mëdha si siguria ushqimore, ruajtja e mjedisit, inovacioni teknologjik dhe zhvillimi i qëndrueshëm i bujqësisë kërkojnë mendje të hapura, të përgatitura dhe të guximshme.

Kam ndjekur me kënaqësi zhvillimet e këtij universiteti, sidomos reformën që keni nisur së bashku me Universitetin BOKU të Vjenës. Kjo reformë është një hap i jashtëzakonshëm drejt një arsimi më të avancuar, më të hapur ndaj standardeve ndërkombëtare dhe një baze e fortë për profesionistët e së ardhmes. Dua t’ju komplementoj për vizionin dhe përkushtimin që keni treguar dhe po tregoni në këtë proces.

Me kënaqësi theksoj faktin qe bashkpunimi me kete Universitet është prioritet i Ministrisë së Bujqësisë dhe personalisht i Kryeministrit Edi Rama, i cili ka qenë gjithmonë pranë këtij universiteti, duke ndjekur dhe mbështetur çdo përpjekje dhe zhvillim.

Të dashur studentë, -

Ju jeni e ardhmja. Në bankat e këtij universiteti do të formoni jo vetëm njohuritë tuaja profesionale, por edhe karakterin, përgjegjësinë qytetare dhe bindjen se Shqipëria mund të ecë përpara përmes dijes dhe punës suaj.

E di që vitet e universitetit nuk janë vetëm studim. Janë vite rritjeje, ëndrrash dhe formimi personal. Shfrytëzojini ato me pasion dhe përkushtim. Përqafoni dijen, kërkoni më shumë, pyesni më shumë, sfidoni veten dhe bëhuni shembull për komunitetet nga vini.

Në emër të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, ju siguroj se do të jemi gjithmonë partnerë të Universitetit Bujqësor, duke forcuar lidhjen mes politikave publike dhe kërkimit shkencor, mes praktikës bujqësore dhe inovacionit universitar.

Por jo vetem, ne do të ndërmarrim të gjithë hapat e nevojshëm ligjorë dhe insitucional  që profesioni i agronomit të njihet si profesion i rregulluar, me akreditim e licensim, duke i dhënë këtij tituli vlerësimin dhe rëndësinë që mertion.

Te dashur studente

Ju uroj një vit akademik plot sukses, arritje dhe mundësi të reja.

Punoni fort, studioni me këmbëngulje dhe tregoni se ju jeni e ardhmja.

Faleminderit dhe suksese të gjithëve!"

Universiteti Bujqësor i Tiranës i uron çdo studenti, pedagogu e punonjësi akademik një vit plot frymëzim, arritje dhe dashuri për dijen.

UBT: Për jetën, për të ardhmen!