Vizita e Ambasadores së Austrisë në Universitetin Bujqësor të Tiranës Ambasadorja e re e Republikës së Austrisë në Shqipëri, Sh.S. Znj. Monica Zach, zhvilloi një vizitë në Universitetin Bujqësor të Tiranës, ku u prit nga stafi drejtues i UBT.
Në takim, Sh.S. Znj. Zach, u njoh me projektin e filluar mes UBT dhe Universitetit BOKU të Vjenës, ku UBT ka filluar implementimin e reformës më të thellë të realizuar ndonjëherë në një universitetet publike në vend për transformimin total të arkitekturës aktuale të programeve mësimore dhe kërkimit shkencor.
Dokumenti strategjik “UBT 2030” përfshin reformimin e aktivitetit të UBT dhe orientimin sipas modelit BOKU për të ofruar programe studimi në nivelin ndërkombëtar në ciklet Bachelor, Master dhe Doktoratë në shkencat bujqësore, mjedisore dhe ato të jetës.
Po ashtu, ky projekt përfshin reformimin e kërkimit shkencor, transferimin e njohurive dhe teknologjisë, dixhitalizimin e procesit të mësimdhënies, mësimnxënies, riorganizimin e strukturave përbërëse dhe funksionimin e tyre, zhvillimin e kapaciteteve humane dhe institucionale drejt ndërkombëtarizimit të gjithë veprimtarisë së UBT sipas modelit të BOKU dhe universiteteve homologe të vendeve të zhvilluara.
Sh.S. Ambasadorja Zach shprehu gatishmërinë e vazhdimit të ndihmës dhe mbështetjes së Qeverisë Austriake ndaj kësaj reforme të konsideruar si një ndër projektet më të rëndësishme që Qeveria Austriake po mbështet në Shqipëri.