Skip to Content

Workshop 3: Kullotat malore dhe blegtorët në Shqipëri: sfida dhe perspektiva

Një sesion i dedikuar ruajtjes së trashëgimisë pastorale, qëndrueshmërisë ekologjike dhe përballjes me sfidat moderne që kërcënojnë jetesën tradicionale në zonat malore u zhvillua përgjatë ditës së dytë të Konferencës së 5-të Ndërkombëtare mbi Shkencat e Jetës dhe Bujqësinë e Shqipërisë 2030 në Universitetin Bujqësor të Tiranës.


“Kullotat malore dhe blegtorët në Shqipëri: sfida dhe perspektiva”, ishte tema e workshop-it të tretë që u drejtua nga Prof. Dr. Lumturi Papa, Zv. Dekane për Shkencën dhe Projektet në Fakultetin e Bujqësisë dhe Mjedisit në UBT, e cila theksoi rëndësinë e kullotave malore si pasuri natyrore dhe ekonomike e pazëvendësueshme për komunitetet rurale.


Në vijim, Dr. Hasrad Arjjumend, The Grassroots Institute, Kanada, prezantoi karakteristikat ekologjike të kullotave malore, ndjekur nga Martina Wolff, University of Strasbourg and Lyon ll inalco paris/Luigj Turmalaj, UBT, të cilët folën për ndërveprimin tradicional mes kullotave, blegtorëve dhe bagëtive.


Po ashtu, Petrit Dobi, Rural Association Support Programme, solli në vëmendje ndikimet e ndryshimeve klimatike në përdorimin sezonal të kullotave, ndërsa H. Arjjumend ngriti debatin mbi dilemën e kullotjes si armike e ekosistemeve natyrore, duke ofruar një perspektivë kritike mbi balancën mes ruajtjes dhe shfrytëzimit të resurseve.


Një vend të veçantë zunë edhe diskutimet nga M. Wolf mbi sfidat moderne të blegtorëve lëvizës në Shqipëri, përfshirë pengesat veterinare dhe kufizimet në lëvizshmërinë e bagëtive, si dhe mundësitë për ruajtjen dhe zhvillimin e blegtorisë tradicionale sipas Enea Malaj, UBT.


Në përmbyllje, grupi i barinjve pjesëmarrës solli një qasje autentike mbi mënyrën e transmetimit të njohurive tradicionale nga brezi në brez dhe rolin që mund të luajnë të rinjtë në ringjalljen e kësaj tradite të vyer.