Skip to Content

Workshop-i i parë i Projektit PKKZH mbi Bujqësinë e qëndrueshme në UBT

Me synimin mbështetjen e praktikave për bujqësinë e qëndrueshme, në ambjentet e FEA-s, u zhvillua workshop-i i parë i Projektit Kërkimor PKKZH, i financuar nga AKKSHI. Projekti me temë "Njohuritë financiare të fermerëve, Ndryshimet Klimaterike dhe Demografike si faktorë përcaktues për bujqësinë e qëndrueshme (Rasti i Zonës së Korçës dhe Divjakës)", koordinohet nga Prof. Asoc. Albana Gjoni.

Të pranishëm ishin studentë nga programet Financë-Kontabilitet, Ekonomiks i Aplikuar dhe Ekonomi dhe Politika të Zhvillimit Rural, si dhe pedagogë nga dy departamentet përkatëse. Gjatë Workshop-it u diskutuan rezultatet e deritanishme, si dhe sfidat e mundësitë për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit bujqësor në zonat e Korçës dhe Divjakës.

Ky projekt synon të ofrojë njohuri praktike dhe të bazuara në kërkime për të mbështetur fermerët dhe politikat bujqësore në Shqipëri, duke marrë në konsideratë faktorët financiarë, klimatikë dhe demografikë që ndikojnë në qëndrueshmërinë e sektorit.

Projektit Kërkimor PKKZH me financim nga AKKSHI, "Njohuritë financiare të fermerëve, Ndryshimet Klimaterike dhe Demografike si faktorë përcaktues për bujqësinë e qëndrueshme (Rasti i Zonës së Korçës dhe Divjakës)", ka filluar në Shtator 2024 dhe do të përfundojë në Shkurt 2026.

Ndërsa, workshop-i i dytë është planifikuar të zhvillohet në Universitetin Aleksandër Moisiu, Durrës, ditën e shtunë më 13 Dhjetor, rreth orës 10:00, në Fakultetin e Biznesit, Kampusi Spitallë, duke vazhduar diskutimet dhe prezantimin e gjetjeve të projektit me studentët dhe stafin akademik lokal.