Në kuadër të Misionit të 27-të BOKU–UBT, një vëmendje e veçantë iu kushtua zbatimit dhe administrimit të programeve të reja Bachelor dhe Master në Universitetin Bujqësor të Tiranës për vitin akademik 2026–2027.
Diskutimet, të zhvilluara gjatë pasdites së ditës së parë dhe përgjatë ditës së dytë të misionit, u drejtuan nga Zëvendësrektori për Mësimin, Prof. Dr. Ilir Kapaj, dhe Kristiana Gausterer-Hofmeister, MBA, drejtuese e Zyrës së Mësimit në Universitetin BOKU të Vjenës. Në sesionet e punës u përfshinë stafi i Zyrës së Mësimit dhe Studentëve në UBT, si dhe përfaqësues të Drejtorisë së Vlerësimit të Brendshëm dhe Sigurimit të Cilësisë.
Në qendër të diskutimeve ishte përvoja e krijuar gjatë vitit akademik 2025–2026 me zbatimin e 9 programeve të reja Bachelor, e cila shërben tashmë si bazë për fazën e radhës të reformës akademike. Për vitin e ri akademik, puna fokusohet në zbatimin e 3 programeve të tjera të reja Bachelor, si dhe të programeve të reja Master në UBT.
Përvoja e vitit të kaluar u analizua jo vetëm për të evidentuar rezultatet e arritura, por edhe për të identifikuar nevojat dhe problematikat që mund të shfaqen gjatë zbatimit të ofertës së re akademike. Në këtë drejtim, diskutimet u përqendruan te koordinimi ndërmjet strukturave akademike dhe administrative, organizimi i proceseve dhe garantimi i standardeve të cilësisë, duke marrë si referencë praktikat dhe eksperiencën e BOKU.
Një tjetër çështje e rëndësishme ishte menaxhimi i procesit të aplikimit të studentëve në programet e reja Master. Gjatë sesioneve u përcaktua qasja që do të ndiqet për administrimin e këtij procesi, i cili do të menaxhohet nga Drejtoria e Shërbimeve Mësimore dhe Studentëve, me synimin për të krijuar një proces sa më të qartë dhe funksional për kandidatët.
Pjesë e punës ishte gjithashtu forcimi i mekanizmave të brendshëm të monitorimit dhe sigurimit të cilësisë, në mënyrë që kalimi drejt strukturës së re akademike të shoqërohet me standarde të njëjta në të gjitha programet dhe me një administrim më efikas të tyre.
Në përfundim të diskutimeve, BOKU konfirmoi angazhimin për të vijuar asistencën ndaj UBT-së, veçanërisht për drejtoritë dhe zyrat e përfshira drejtpërdrejt në zbatimin e programeve dhe sigurimin e cilësisë. Mbështetja do të vijojë përmes konsulencës dhe ekspertizës së nevojshme gjatë fazave të mëtejshme të implementimit.
Këto sesione pune përbëjnë një tjetër hap konkret në zbatimin e reformës akademike të UBT-së, duke e zhvendosur fokusin nga hartimi i programeve të reja drejt zbatimit të tyre në praktikë, administrimit efikas dhe garantimit të cilësisë për studentët.












