PËRGJEGJËSITË & KOMPETENCAT:
Rektorati është organ vendimmarrës kolegjial. Ai drejtohet nga rektori dhe përbëhet nga rektori, zëvendësrektorët, administratori i UBT-së dhe dekanët e fakulteteve.
Rektorati:
• Harton planin strategjik të zhvillimit të UBT–së, mbështetur në propozimet e departamenteve dhe fakulteteve të universitetit.
• Realizon kontrolle periodike në njësitë e universitetit për përmbushjen e objektivave të parapara, si dhe për zbatimin e akteve dhe legjislacionit në fuqi.
• Marrëdhëniet e Rektoratit me organet e tjera të Universitetit përcaktohen në këtë Statut, në Rregulloren e Studimeve Universitare dhe në rregulloret e tjera të Universitetit Bujqësor të Tiranës.
Rektor i Universitetit Bujqësor të Tiranës, Prof. Dr. Fatbardh SALLAKU.
Rektori:
Rektori zgjidhet nga anëtarët e asambleve të personelit akademik të fakulteteve dhe studentët e UBT-së. Ai ka titullin “Profesor’’ dhe dekretohet nga Presidenti i Republikës. Mandati i rektorit zgjat katër vjet dhe shërben në detyrë për një mandat, me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë.
• Është autoriteti më i lartë akademik i UBT-së, si dhe përfaqësuesi ligjor i tij për çështjet akademike dhe protokollare.
• Drejton Senatin Akademik dhe raporton para tij.
• I paraqet Senatit planin strategjik të zhvillimit të UBT-së.
• Është anëtar i konferencës së rektorëve të universiteteve shqiptare.
• Ka të drejtën të informohet nga autoritetet drejtuese të të gjitha njësive mbi vendimet dhe masat e marra prej tyre.
• Shfuqizon kryesisht apo me kërkesë të të interesuarit, aktet e dekanit kur ato bien ndesh me kushtetutën, Ligjin Nr. 80/2015 për Arsimin e Lartë & Kërkimin Shkencor në Institucionet e Arsimit të Lartë, Statutin, rregulloren dhe legjislacionin tjetër në fuqi.
• Lëshon/konfirmon përkundrejt firmës, diplomat e përfundimit të studimeve universitare dhe pasuniversitare, pa patur të drejtën e delegimit të firmës personave të tjerë.
• Nënshkruan kontratat e punës të personelit akademik dhe ndihmës akademik.
• Jep leje për hyrjen e forcave të rendit në mjediset universitare dhe mund t’i thërrasë ato në rast nevoje.
• Ka të drejtën e delegimit të firmës personave të tjerë vartës të tij. Në rast mungese i delegon kompetencat ose një pjesë të tyre, zëvendësrektorëve.
• Ngre komisione e grupe për çështje, studime e veprimtari të veçanta.
• Emëron dekanët e fakulteteve, zëvendësrektorët si dhe përgjegjësit e degëve dhe zyrave.
• Zgjidh në mënyrë përfundimtare mosmarrëveshjet mes dekanit dhe përgjegjësit të departamentit apo dhe mes dy dekanëve.
• Miraton masën disiplinore të përjashtimit të studentëve nga universiteti për rastet e parashikuara në rregulloret e fakulteteve dhe Kodin e Etikës.
• I kërkon informacion Bordit të Administrimit për çështje të kompetencës së këtij organi.
• Jep dhe miraton masat disiplinore për punonjësit deri në largimin e tyre nga puna kur shkelen nenet e Statutit, të Kodit të Punës dhe Kodit të Etikës.
• Miraton promocionet, dekorimet apo shpërblimet e punonjësve të Universitetit në përputhje me Legjislacionin e Republikës së Shqipërisë.
• Lidh dhe zhvillon marrëdhënie bashkëpunimi në fushën akademike me persona dhe institucione brenda dhe jashtë vendit.
• Koordinon veprimtaritë mes UBT-së, fakulteteve dhe departamenteve.
• Në referencë të Ligjit Nr. 80/2015 për Arsimin e Lartë & Kërkimin Shkencor në Institucionet e Arsimit të Lartë në Republikën Shqipërisë, kur me veprimet ose mosveprimet e tij, dekani shkel në mënyrë të përsëritur aktet ligjore, nënligjore, Statutin, apo rregulloret e fakultetit dhe universitetit, në rastet e kryerjes së veprave penale flagrante ose të shkeljeve të rënda të ligjit, të pamundësisë për të kryer detyrën dhe për rastet e parashikuara në Kodin e Etikës së UBT-së rektori i propozon ministrit të MAS shkarkimin e tij.
• Në një situatë të tillë rektori cakton njërin prej zëvendësdekanëve në detyrën e dekanit, deri në zgjedhjen e autoritetit të ri brenda dy muajve nga data e shkarkimit. Brenda gjashtë muajve nga data e shkarkimit shpall zgjedhje të parakohshme.
• Pas përfundimit të mandatit, ai vazhdon të jetë anëtar i personelit të departamentit ku kryen veprimtarinë e tij akademike.