Skip to Content

Marrëveshje bashkëpunimi mes UBT dhe Universitetit të Perugias

Universiteti Bujqësor i Tiranës dhe Universiteti i Perugias në Itali kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi, duke forcuar më tej rrjetin akademik ndërkombëtar të UBT-së.

Një delegacion i Universitetit të Perugias ishte në Tiranë në kuadër të projektit “TNE Health Connect”, me fokus në edukimin, rrjetëzimin dhe bashkëpunimin akademik ndërkombëtar. Përfaqësuesit italianë morën pjesë gjithashtu edhe në aktivitetet e konferencës ndërkombëtare CASEE 2026, të organizuar nga UBT.

Delegacioni italian u prit në Rektoratin e UBT-së nga Rektori, Prof. Dr. Fatbardh Sallaku, zv/Rektorja për Shkencën dhe Projektet, Prof. Dr. Erinda Lika, si dhe zv/Rektorja për Marrëdhëniet me Institucionet dhe Publikun, Prof. Assoc. Dr. Romina Koto.

Pjesë e delegacionit të Universitetit të Perugias ishin Prof. Marco Mazzoni, zv/rektor për Komunikimin dhe politikat universitare, Prof. Emidio Albertini, zv/rektor për Misionin e Tretë, Inovacionin Social dhe Marrëdhëniet me Komunitetin, si dhe Prof. David Ranucci, koordinator shkencor i projektit.

Bashkëpunimi parashikon shkëmbimin e studentëve, pedagogëve dhe studiuesve, organizimin e seminareve e konferencave shkencore, si dhe zhvillimin e iniciativave të përbashkëta në fusha me interes të ndërsjellë.

Përmes këtij partneriteti, UBT synon të afrojë më shumë eksperienca ndërkombëtare dhe mundësi konkrete bashkëpunimi për studentët dhe stafin akademik, duke zgjeruar praninë e universitetit në rrjetet europiane të arsimit dhe kërkimit shkencor.