Në Universitetin Bujqësor të Tiranës u mbajt dita e parë e Misionit të 18-të të përbashkët me Universitetin BOKU të Vjenës, i cili do të zhvillohet nga data 26 deri më 28 janar në UBT. Ky workshop ka në fokus finalizimin e programeve të reja Master dhe tre programe Bachelor-i, në kuadër të reformimit dhe modernizimit të ofertës akademike të UBT-së sipas standardeve evropiane.
Dita e parë e aktivitetit u hap me fjalët përshëndetëse të Rektorit të UBT-së, Prof. Dr. Fatbardh Sallaku, dhe përfaqësuesit të BOKU, Prof. Hubert Hasenauer, në ambientet e Departamentit të Mjedisit dhe Burimeve Natyrore. Në takim morën pjesë drejtuesit e universitetit, dekanët e fakulteteve, përfaqësues të strukturave akademike duke reflektuar kështu përfshirjen e gjerë institucionale në këtë proces.
Gjatë paradites u prezantua një përditësim mbi ecurinë e punës për t’iu lënë më pas vendin prezantimeve të programeve të reja të studimit, të strukturuara sipas modelit të BOKU.
Grupi i punës për Bioteknologjinë dhe Ushqimin prezantoi programet Master në Inxhinieri Ushqimore dhe Shkenca e Ushqyerjes, ndërsa grupi i Pylltarisë dhe Drurit prezantoi programet Master në Teknologji dhe Dizajn Druri si dhe Menaxhim të Ekosistemeve Pyjore.
Në vijim, grupi i Ekonomisë prezantoi programet Bachelor në Informatikë Biznesi dhe Financë-Kontabilitet, si edhe një paketë të gjerë programesh Master në fusha si menaxhimi, turizmi i qëndrueshëm, zhvillimi rural dhe marketingu ushqimor, ku disa prej tyre parashikohen edhe si diploma të dyfishta.
Ky mision shënon një hap të rëndësishëm në thellimin e bashkëpunimit strategjik mes UBT-së dhe BOKU-së, duke forcuar cilësinë akademike, orientimin evropian dhe përafrimin e programeve të studimit me nevojat bashkëkohore të tregut të punës dhe zhvillimit të qëndrueshëm.









