Skip to Content

Misioni i 27-të BOKU–UBT, fokusi te programet e reja të studimit dhe zbatimi i reformës akademike

2 shtator 2026 by
Misioni i 27-të BOKU–UBT, fokusi te programet e reja të studimit dhe zbatimi i reformës akademike
Web Publikime

Në Universitetin Bujqësor të Tiranës nisi Misioni i 27-të në kuadër të bashkëpunimit me Universitetin BOKU të Vjenës, një tjetër etapë e procesit të transformimit të UBT-së në kuadër të Strategjisë UBT 2030. Misioni zhvillohet nga 2 deri më 4 shtator dhe këtë herë vendos në qendër programet e studimit, organizimin e departamenteve dhe përshtatjen e administratës me strukturën e re të Universitetit.

Dita e parë iu kushtua në mënyrë të veçantë programeve të reja Bachelor dhe Master dhe fazës konkrete të zbatimit të tyre. Punimet u hapën nga Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Fatbardh Sallaku, dhe Prof. Dr. Hubert Hasenauer nga BOKU University, me pjesëmarrjen e drejtuesve të Universitetit, përgjegjësve të departamenteve, koordinatorëve të programeve dhe ekipit të ekspertëve të BOKU.

Në fokus nuk ishte vetëm ajo që është projektuar gjatë muajve të reformës, por sidomos çfarë është realizuar deri tani dhe çfarë mbetet për t’u bërë për nisjen dhe funksionimin e programeve të reformuara. Zëvendësrektori Prof. Dr. Ilir Kapaj prezantoi ecurinë e programeve Bachelor, duke u ndalur te nevojat e identifikuara në takimet e mëparshme, masat e realizuara dhe çështjet që kërkojnë ende zgjidhje.

Një pjesë e rëndësishme e ditës ishte diskutimi i drejtpërdrejtë me koordinatorët e 12 programeve Bachelor, të cilët sollën në tryezë progresin, sfidat dhe nevojat konkrete të secilit program.

Vëmendje e veçantë iu kushtua edhe reformimit të programit të Mjekësisë Veterinare, ku Prof. Dr. Ilir Kapaj dhe Prof. Asoc. Dr. Xhelil Koleci prezantuan statusin aktual të procesit. Më pas, puna vijoi me 18 programet Master, ku koordinatorët diskutuan arritjet e deritanishme, sfidat dhe hapat që duhen ndërmarrë për konsolidimin e ofertës së re akademike të UBT-së.

Por reforma akademike nuk mund të ecë e shkëputur nga mënyra se si funksionon Universiteti. Për këtë arsye, paralelisht me diskutimet mbi programet, ekspertët e UBT-së dhe BOKU zhvilluan një sesion të posaçëm mbi nevojat administrative dhe përshtatjen e proceseve të brendshme me strukturën e re. Diskutimi u përqendrua te mënyra se si administrata mund të mbështesë më mirë mësimdhënien dhe kërkimin shkencor, duke përfshirë menaxhimin e kampusit, investimet, financat dhe proceset që lidhen drejtpërdrejt me administrimin e programeve të reja.

Dita e parë e misionit shënon kështu kalimin nga projektimi i reformës te zbatimi i saj në terren: programe të reja, përgjegjësi të qarta dhe një strukturë akademike e administrative që duhet t’i përgjigjet modelit të ri të Universitetit. Në dy ditët në vijim, puna do të zhvendoset te roli dhe organizimi i departamenteve, kërkimi shkencor dhe përcaktimi i hapave të ardhshëm të procesit UBT–BOKU.