Zv/Rektorja për Shkencën dhe Projektet në Universitetin Bujqësor të Tiranës, Prof. Dr. Erinda Lika, ka përmbushur me sukses rolin e saj si Focal Point Kombëtar në kuadër të projektit ndërkombëtar Startup10, duke dhënë një kontribut të drejtpërdrejtë në forcimin e ekosistemit të startup-eve në Shqipëri.
Në cilësinë e saj si pikë fokale kombëtare, Prof. Dr. Lika ka garantuar koordinimin efektiv mes inkubatorëve, startup-eve, institucioneve kombëtare dhe ekipit koordinues të CIHEAM Bari, duke siguruar zbatimin me standarde të larta të të gjitha aktiviteteve në nivel kombëtar. Roli i saj ka qenë kyç që nga faza e përgatitjes dhe publikimit të thirrjeve kombëtare, procesi i përzgjedhjes transparente të startup-eve, organizimi i mentorimeve dhe trajnimeve, deri tek zhvillimi i eventit kombëtar të pitching dhe raportimi përfundimtar.
Pasi u lançuan thirrje kombëtare me pjesëmarrje të gjerë, u përzgjodhën 7 startup-e inovative dhe u realizuan mbi 100 seanca mentorimi dhe coaching-u për zhvillimin e modeleve të biznesit, përgatitjen për investime dhe përmirësimin e aftësive të prezantimit. Procesi u zhvillua me transparencë të plotë dhe në përputhje me kriteret e inovacionit, qëndrueshmërisë dhe potencialit të rritjes. Një dimension i rëndësishëm i kontributit ishte bashkëpunimi i ngushtë me Startup Agency of Albania, duke krijuar një kornizë bashkëpunimi institucional dhe duke harmonizuar aktivitetet e Startup10 me prioritetet kombëtare të sipërmarrjes dhe inovacionit.
Kjo qasje ka forcuar lidhjet mes institucioneve publike, sektorit privat dhe universiteteve, duke e pozicionuar Shqipërinë si një aktor më të besueshëm në rrjetet rajonale të inovacionit. Paralelisht, si përfaqësuese e Universiteti Bujqësor i Tiranës, Prof.Dr Erinda Lika ka mbështetur drejtpërdrejt programin Master në Open Innovation dhe Youth Entrepreneurship, duke lidhur studentët me kompani reale dhe projekte konkrete inovacioni. Ky ndërveprim ka forcuar urën mes akademisë dhe industrisë, duke rritur aftësitë praktike të studentëve dhe duke promovuar kulturën e sipërmarrjes tek të rinjtë.
Rezultatet e arritura përbëjnë një bazë solide për pjesëmarrjen e ardhshme të Shqipërisë në thirrje ndërkombëtare si Horizon Europe dhe Erasmus+, si dhe për zgjerimin e partneriteteve strategjike në rajonin mesdhetar.



