Skip to Content

Prof. Dr. Hubert Hasenauer zgjidhet Anëtar Nderi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë

Akademia e Shkencave e Shqipërisë zgjodhi Prof. Dr. Hubert Hasenauer si Anëtar Nderi në mbledhjen e saj vjetore, në një moment të veçantë që u prit me duartrokitje nga Asambleja.


Prof. Hasenauer është profesor i menaxhimit të ekosistemeve pyjore dhe ish-Rektor i Universiteti i Burimeve Natyrore dhe Shkencave të Jetës (BOKU) në Vjenë, Austri. Ai njihet gjerësisht për kontributin e tij në ekologjinë pyjore, modelimin e ekosistemeve dhe menaxhimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore, si edhe për studimet mbi rolin e pyjeve në ciklin global të karbonit. Me qindra publikime shkencore dhe një përvojë të gjatë në drejtimin universitar, ai është një nga figurat më të vlerësuara në fushën e shkencave të jetës në Evropë.


Për Universitetin Bujqësor të Tiranës, Prof. Hasenauer ka një rol të veçantë. Ai është një nga personat që është angazhuar drejtpërdrejt në forcimin e bashkëpunimit mes UBT-së dhe BOKU-s së Vjenës, duke mbështetur zhvillimin e projekteve të përbashkëta, përditësimin e kurrikulave dhe afrimin e standardeve akademike me modelet më të avancuara evropiane.

Përmes angazhimit të tij afatgjatë, bashkëpunimi UBT–BOKU është konsoliduar si një nga partneritetet më të rëndësishme ndërkombëtare të universitetit, duke krijuar më shumë mundësi për studentët dhe stafin akademik në fushën e kërkimit, shkëmbimeve dhe zhvillimit profesional.


Zgjedhja e tij si Anëtar Nderi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë është një vlerësim për kontributin e tij shkencor, por edhe një lajm i mirë për vazhdimësinë e bashkëpunimit akademik mes UBT-së dhe partnerëve evropianë.