Studentët e vitit të tretë të programeve “Inxhinieri Agromjedisi” dhe “Menaxhim i Burimeve Natyrore” realizuan praktikën e parë në terren, e fokusuar në tre zona kryesore me rëndësi mjedisore: Baseni i Lumit Ishëm, zona e mbrojtur Kune-Vain dhe Liqeni i Shkodrës.
Kjo praktikë synon integrimin e njohurive teorike me aplikimin praktik në terren, duke zhvilluar aftësitë kërkimore dhe analitike të studentëve, në përputhje me objektivat e modulit ndërdisiplinor.
I. Baseni i Lumit Ishëm – Monitorimi dhe vlerësimi i cilësisë së ujit dhe ndotjes së tokës
Ndalesa e parë u zhvillua pranë stacionit automatik të monitorimit të ujit, ku studentët u njohën me funksionimin e sistemit dhe rëndësinë e tij për monitorimin në kohë reale të cilësisë së ujërave. Në këtë zonë u kryen matje në terren të parametrave kryesorë (pH, përçueshmëria elektrike – EC dhe oksigjeni i tretur – DO), si dhe u morën kampione uji për analiza laboratorike. Gjithashtu, u realizua kampionimi i tokës për të vlerësuar ndikimin e përmbytjeve dhe transportin e ndotësve drejt tokave bujqësore.
II. Kune-Vain – Vlerësimi i biodiversitetit dhe presioneve mjedisore
Vlerësim i biodiversitetit dhe presioneve mjedisore përmes matjes së pasurisë së specieve, dendësisë dhe frekuencës. Kampionimi u realizua me metoda kuadrati dhe transekti në terren. Paralelisht, u krye edhe marrja e kampioneve të ujit dhe matja e parametrave në terren, duke analizuar gjendjen e këtij habitati të rëndësishëm.
III. Liqeni i Shkodrës – Vlerësimi i cilësisë së ujërave
Praktika vijoi në Liqenin e Shkodrës, ku studentët kryen matje fushore të parametrave të ujit (pH, EC, DO) dhe morën kampione për analiza laboratorike, duke vlerësuar ndërveprimin ndërmjet faktorëve natyrorë dhe ndikimeve antropogjene në këtë ekosistem të rëndësishëm ujore.
Kjo ishte praktika e parë në terren në kuadër të modulit “Projekt Ndërdisiplinor dhe Ekskursione”. Ajo përbën një komponent thelbësor në formimin profesional të studentëve, duke i përfshirë ata drejtpërdrejt në procese reale të monitorimit mjedisor, kampionimit dhe analizës shkencore në terren. Përmes kësaj përvoje, studentët forcojnë aftësitë për identifikimin dhe vlerësimin e problematikave mjedisore në kushte reale.







