Skip to Content

Takim informues me kandidatët e rinj të doktoraturës në UBT

Në Universitetin Bujqësor të Tiranës u mbajt një takim informues në Fakultetin e Ekonomisë dhe Agrobiznesit në kuadër të çeljes së studimeve doktorale në programin “Ekonomi dhe Agrobiznes”, me pjesëmarrjen e kandidatëve të rinj, stafit akademik dhe kërkuesve shkencorë. 

Aktiviteti u hap nga Zv/Dekania për Shkencën dhe Projektet, Prof. Asoc. Irma Tabaku, ndërsa Dekani i Fakultetit të Ekonomisë dhe Agrobiznesit, Prof. Dr. Remzi Keço, përshëndeti pjesëmarrësit dhe theksoi rëndësinë e zhvillimit të kërkimit shkencor si një nga shtyllat kryesore të veprimtarisë akademike të fakultetit. 

Gjatë takimit u prezantuan kriteret për fitimin e gradës shkencore “Doktor”, rregullorja e programit, procedurat akademike dhe pritshmëritë ndaj kandidatëve. 

Administratorja e programit të doktoraturës, Prof. Dr. Ledia Thoma, paraqiti elementët kryesorë të organizimit të studimeve, ndërsa Prof. Dr. Engjëll Skreli foli mbi rolin e kërkimit shkencor dhe ndikimin e tij në zhvillimin e sektorit ekonomik dhe agro-ushqimor. 

Në prezantimet e zhvilluara u theksua se kërkimi shkencor nuk është thjesht mbledhje informacioni, por një proces sistematik që synon të japë përgjigje ndaj pyetjeve me rëndësi për shoqërinë dhe ekonominë. 

Pjesëmarrësit u njohën me hapat kryesorë të procesit kërkimor, duke nisur nga identifikimi i njohurive ekzistuese, evidentimi i boshllëqeve në literaturë, studimi i problemit dhe kontributi me njohuri të reja. Gjithashtu, u prezantua rrugëtimi akademik që duhet të ndjekin doktorantët, i cili përfshin publikime në revista shkencore të indeksuara, pjesëmarrje në konferenca ndërkombëtare, stazhe kërkimore në universitete dhe qendra kërkimore jashtë vendit, si dhe respektimin e standardeve të integritetit akademik përmes kontrollit të plagjiaturës. 

Takimi u mbyll me prezantimin e studentëve të rinj të doktoraturës dhe interesave të tyre kërkimore, duke shënuar fillimin e një etape të re në formimin e studiuesve dhe ekspertëve të ardhshëm në fushën e ekonomisë dhe agrobiznesit.