Skip to Content

UBT dhe IKMT bashkojnë forcat për territorin dhe mjedisin

Universiteti Bujqësor i Tiranës firmosi një marrëveshje bashkëpunimi me Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT), duke hapur më shumë mundësi për praktika profesionale, trajnim dhe punësim për studentët, veçanërisht të Fakultetit të Shkencave Pyjore.

Një nga komponentët kryesorë të marrëveshjes është angazhimi i stafit akademik të UBT-së në trajnimin dhe kualifikimin e inspektorëve të IKMT-së. Ky proces synon rritjen e kapaciteteve profesionale të tyre, përmirësimin e standardeve të punës dhe forcimin e qasjeve bashkëkohore në monitorimin dhe mbrojtjen e territorit. Gjithashtu, bashkëpunimi parashikon edhe mbështetje për vlerësimin e kapaciteteve humane të IKMT-së, si dhe identifikimin e nevojave për zhvillim të mëtejshëm institucional.

Në kuadër të kësaj marrëveshjeje,  palët do të bashkëpunojnë edhe në nisma të përbashkëta që lidhen me shkëmbimin e njohurive, përfshirjen e studentëve në praktika profesionale dhe zhvillimin e projekteve me interes të përbashkët. Kjo krijon mundësi konkrete për studentët e UBT-së që të përfshihen në procese reale pune dhe të fitojnë përvojë praktike në sektorë të rëndësishëm për zhvillimin e vendit.

Përmes këtij bashkëpunimi, UBT konfirmon edhe njëherë rolin e tij si një qendër e rëndësishme ekspertize në Shqipëri, duke kontribuar aktivisht në mbështetjen e institucioneve publike dhe në promovimin e praktikave të qëndrueshme në menaxhimin e territorit dhe mbrojtjen e mjedisit.