Universiteti Bujqësor i Tiranës pati kënaqësinë të mirëpriste ekipin vullnetar të organizatës World Vets në një leksion të veçantë dhe takim me Rektorin, Prof. Dr. Fatbardh Sallaku.
Aktiviteti mblodhi në auditor studentë dhe pedagogë të Fakultetit të Mjekësisë Veterinare, të cilët patën mundësinë të njiheshin nga afër me eksperiencën dhe kontributin e kësaj organizate ndërkombëtare në ofrimin e shërbimeve veterinare në mbarë botën.
Gjatë leksionit, përfaqësuesit e World Vets prezantuan punën e tyre në dhjetëra vende të botës, duke ndarë njohuri dhe praktika mbi shërbimet veterinare në terren, sigurinë në anestezi, fushatat e sterilizimit të kafshëve dhe teknikat praktike që përdoren në misionet e tyre ndërkombëtare. Studentët dhe stafi akademik patën mundësinë të diskutojnë me ekspertët dhe të njihen me sfidat dhe mundësitë që ofron puna veterinare në kontekste të ndryshme globale.
Takimi shërbeu gjithashtu si një mundësi e vlefshme për shkëmbim përvojash profesionale dhe për forcimin e lidhjeve ndërmjet UBT-së dhe organizatave ndërkombëtare që kontribuojnë në avancimin e arsimit dhe praktikës veterinare. Aktiviteti u prit me interes nga studentët, duke i frymëzuar ata të angazhohen më tej në zhvillimin profesional dhe në nismat me ndikim në shëndetin dhe mirëqenien e kafshëve.













