Skip to Content

UBT, pjesë e projektit pilot për tranzicionin e gjelbër në Parkun Kombëtar të Dajtit

Zv. Rektorja për Marrëdhëniet me Publikun, Prof. Asoc. Romina Koto, prezantoi para një auditori me studentë të programeve të mjedisit, progresin e rastit pilot në Parkun Kombëtar të Dajtit, në kuadër të projektit ndërkombëtar Interreg Euro-MED “BauNOË”, një iniciativë e bashkëfinancuar nga BE-ja që synon promovimin e zonave të gjelbra dhe zhvillimin e qëndrueshëm.

Në Parkun e Dajtit po testohen konkretisht disa zgjidhje “të gjelbra” që mund të përdoren direkt në terren – si instalimi i pajisjeve me energji diellore (p.sh. stacione, ndriçim apo struktura për vizitorët), promovimi i lëvizshmërisë së qëndrueshme (biçikleta), si dhe përmirësimi i menaxhimit të mbetjeve dhe burimeve natyrore.

Gjatë prezantimit Eksperti i mjedisit, Abdulla Diku theksoi se qëllimi është të tregohet në praktikë si mund të funksionojë një zonë turistike dhe natyrore me më pak ndotje, më pak konsum energjie dhe më shumë përdorim të burimeve të rinovueshme.

Në këtë prezantim u diskutua edhe për konceptet bazë të tranzicionit të gjelbër, i cili nënkupton kalimin drejt një ekonomie të qëndrueshme dhe miqësore me mjedisin, përmes uljes së ndotjes dhe emetimeve të CO₂, përdorimit të energjive të rinovueshme, mbrojtjes së biodiversitetit dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik.

UBT është aktor kyç në promovimin e inovacionit dhe zhvillimit të qëndrueshëm në Shqipëri, duke sjellë praktika evropiane dhe duke kontribuar në ndërtimin e një modeli zhvillimi që vendos mjedisin dhe komunitetin në qendër.