Universiteti Bujqësor i Tiranës zhvilloi një takim zyrtar me përfaqësues të Universitetit të Camerinos (Itali), me qëllim nënshkrimin e një marrëveshjeje të re bashkëpunimi, në kuadër të programit Erasmus+.
Marrëveshja e re, e cila është një marrëveshje standarde Erasmus, fokusohet në bashkëpunimin akademik në fushën e Mjekësisë Veterinare, duke krijuar mundësi për mobilitet të studentëve dhe stafit akademik, si dhe për shkëmbim përvojash dhe forcim të bashkëpunimit ndërinstitucional.
Nga Universiteti i Camerinos në këtë takim morën pjesë znj. Anna Pupilli, Përgjegjëse e Zyrës Erasmus, Studentëve Ndërkombëtarë dhe Stafit, si dhe Prof. Luciano Barboni, Delegat i Rektorit për mobilitetin dhe bashkëpunimin me vendet jashtë Bashkimit Evropian.
Gjatë vizitës së tyre në Universitetin Bujqësor të Tiranës, përfaqësuesit e Universitetit të Camerinos u takuan me Rektorin e UBT-së, Prof.Dr Fatbardh Sallaku si dhe me Zv. Rektoren për Shkencën dhe Projektet, Prof. Dr. Erinda Lika, ku u diskutua mbi rëndësinë e kësaj marrëveshjeje dhe perspektivat e zhvillimit të mëtejshëm të bashkëpunimit akademik.
UBT ka pasur edhe më herët bashkëpunime të suksesshme akademike me këtë universitet.
Universiteti i Camerinos është një nga universitetet më të vjetra dhe më të njohura në Itali, i themeluar në vitin 1336. Ai ndodhet në qytetin Camerino, në rajonin Marche, dhe është i njohur për cilësinë e lartë të mësimdhënies, kërkimin shkencor dhe ambientin miqësor për studentët ndërkombëtarë. UNICAM ofron programe studimi në fusha si shkencat natyrore, inxhinieria, arkitektura, farmacia, juridiku dhe ekonomia, duke kombinuar traditën akademike me inovacionin modern.
Ky takim është një hap të rëndësishëm drejt zgjerimit të rrjetit ndërkombëtar të Universitetit Bujqësor të Tiranës dhe forcimit të bashkëpunimit në kuadër të programeve evropiane të arsimit dhe kërkimit shkencor.




