Universiteti Bujqësor i Tiranës priti aktivitetin inaugurues të WFF Albania National Youth Chapter, një platformë rinore e lidhur me World Food Forum (WFF), nismë globale e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO).
Aktiviteti u organizua nga ish-studentja e Universitetit Bujqësor të Tiranës, Sabina Imeri, në kuadër të angazhimit të saj në WFF Albania National Youth Chapter, me mbështetjen dhe koordinimin akademik të lektorit Dr. Fatjon Hoxha.
Studentë, përfaqësues të institucioneve dhe ekspertë diskutuan sfidat dhe mundësitë e sistemeve agro-ushqimore në Shqipëri ku u prezantua edhe iniciativa globale e WFF dhe roli që kapitujt kombëtarë rinorë luajnë në fuqizimin e të rinjve.
Një pjesë qendrore e aktivitetit ishte shfaqja e filmit dokumentar “The Harvest (La Cosecha)”, i cili trajton historinë e një familjeje fermere dhe sfidat që përballin fermerët e vegjël në aksesin në treg, ndryshimet klimatike dhe ruajtjen e njohurive ndërbreznore. Pas shfaqjes, pjesëmarrësit ndanë reagimet e tyre të para dhe reflektuan mbi temat e ngritura nga filmi.
Agjenda vijoi me një panel diskutimi me ekspertë, ku u trajtuan çështje që lidhen me qëndrueshmërinë e sistemeve agro-ushqimore, rolin e të rinjve në zhvillimin rural dhe nevojën për inovacion në sektorin bujqësor.
Në vijim, pjesëmarrësit u ndanë në tre grupe tematike pune, ku diskutuan ide dhe propozime konkrete për përfshirjen e të rinjve në sfidat e klimës, sigurisë ushqimore dhe zhvillimit rural.
Aktiviteti u mbyll me angazhimin për të vijuar ndërtimin e një rrjeti aktiv rinor që kontribuon në transformimin e sistemeve agro-ushqimore në Shqipëri.





