Skip to Content

Workshop-e shkencore në kuadër të Konferencës së 5-të Ndërkombëtare mbi Shkencat e Jetës dhe Bujqësinë e Shqipërisë 2030

Në kuadër të Konferencës së 5-të Ndërkombëtare mbi Shkencat e Jetës dhe Bujqësinë e Shqipërisë 2030, Universiteti Bujqësor i Tiranës organizoi një sërë workshop-esh tematike me pjesëmarrjen e ekspertëve të njohur vendas e ndërkombëtarë, të cilat trajtuan çështje aktuale të kërkimit shkencor dhe zhvillimit të qëndrueshëm në rajon.

Workshop1: Qendra e Gjeoinformacionit për Ballkanin Perëndimor

Në kuadër të Konferencës së 5-të Ndërkombëtare mbi Shkencat e Jetës dhe Bujqësinë e Shqipërisë 2030 të Universitetit Bujqësor të Tiranës, u zhvillua Workshop-i “Qendra e Gjeoinformacionit për Ballkanin Perëndimor”.


Workshopi u drejtua nga Prof. Daniel Müller nga Universiteti Humbold i Berlinit, me pjesëmarrjen e Rektorit të UBT-së, Prof. Dr. Fatbardh Sallakut dhe partnerëve Z. Stephan Framke, BMLEH Gjermani dhe Max Hoffman, Instituti Leibniz për Zhvillimin Bujqësor në Ekonomitë në Tranzicion (IAMO).


Ai iu dedikua krijimit dhe funksionimit të Qendrës së Gjeoinformacionit për Ballkanin Perëndimor dhe rëndësisë së bashkëpunimit rajonal e transferimit të njohurive në këtë fushë.


Ata diskutuan mbi regjistrimin zyrtar të Qendrës së Gjeoinformacionit si një platformë bashkëpunimi për monitorimin dhe menaxhimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore në rajon, prezantuan aktivitetet e arritjet kryesore të projektit dhe Geoportalin, një mjet inovativ që mundëson shkëmbimin e të dhënave gjeohapësinore mes vendeve pjesëmarrëse.


GEO-WB6- Ngritja e një Qendre Gjeoinformative për Ballkanin Perëndimor në Universitetin Bujqësor të Tiranës është një projekt i realizuar në bashkëpunim me Institutin Leibniz për Zhvillimin Bujqësor në Ekonomitë në Tranzicion në Halle (IAMO), Gjermani dhe i financuar nga Ministria Federale Gjermane e Ushqimit dhe Bujqësisë (BMEL), i cili deri më tani ka zhvilluar një cikël kursesh trajnimi, shkolla verore e aktivitete të ndryshme në Qendër.

Workshop 2: Monitorimi i Rezistencës Antimikrobike (AMR) në qasjen “Një Shëndet”

Workshop-i i dytë me temë "Monitorimi i rezistencës antimikrobike (AMR) në qasjen “Një Shëndet”, u zhvillua përgjatë Konferencës ICOALS 5, në të cilin u trajtuan sfidat dhe mundësitë në monitorimin e rezistencës antimikrobike (AMR) përmes qasjes së integruar “Një Shëndet”.


Punimet e workshop-it u drejtuan nga Zëvendës Rektorja për Projektet Shkencore dhe Inovacionin në UBT, Prof. Dr. Erinda Lika dhe Prof. Joan B. Rose, “Homer Nowlin Chair in Water Research” në Universitetin Shtetëror të Miçiganit dhe Drejtoreshë e Water Alliance.


Në të morën pjesë ekspertë të njohur ndërkombëtarë në fushat e mikrobiologjisë, bioteknologjisë, shëndetit publik dhe inteligjencës artificiale, ku përmendim Siria Tavaniello, University of Molise, Italy; Edmond Nurellari, University of Lincoln, UK; Muhammad Zaman, Boston University, USA; Gerald Barry, University College Dublin, Ireland dhe Oltiana Petri, ISHP.


U prezantuan një sërë temash të avancuara kërkimore mbi mënyrën se si rezistenca ndaj antibiotikëve shfaqet, përhapet dhe mund të parandalohet përmes ndërhyrjeve inovative.


U diskutua për kultivimin mikrobiologjik të shtameve rezistente, për reduktimin e përdorimit të antibiotikëve në blegtori, sfidat shkencore dhe rregullatore të rezistencës në zinxhirin ushqimor, rolin e inteligjencës artificiale dhe modeleve “Digital Twins” në parashikimin e përhapjes së AMR, zgjidhjet bioinxhinierike në nivel molekular dhe qelizor për luftimin e këtij fenomeni global, monitorimi i ujërave të ndotura si sistem paralajmërimi të hershëm për zbulimin e sëmundjeve infektive dhe kontrollin e rezistencës antimikrobike, integrimi i qasjes One Health në monitorimin e AMR mund të ndihmojë në zhvillimin e politikave më efektive të shëndetit publik.


Workshop 3: Kullotat malore dhe blegtorët në Shqipëri: sfida dhe perspektiva

Një sesion i dedikuar ruajtjes së trashëgimisë pastorale, qëndrueshmërisë ekologjike dhe përballjes me sfidat moderne që kërcënojnë jetesën tradicionale në zonat malore u zhvillua përgjatë ditës së dytë të Konferencës së 5-të Ndërkombëtare mbi Shkencat e Jetës dhe Bujqësinë e Shqipërisë 2030 në Universitetin Bujqësor të Tiranës.


“Kullotat malore dhe blegtorët në Shqipëri: sfida dhe perspektiva”, ishte tema e workshop-it të tretë që u drejtua nga Prof. Dr. Lumturi Papa, Zv. Dekane për Shkencën dhe Projektet në Fakultetin e Bujqësisë dhe Mjedisit në UBT, e cila theksoi rëndësinë e kullotave malore si pasuri natyrore dhe ekonomike e pazëvendësueshme për komunitetet rurale.


Në vijim, Dr. Hasrad Arjjumend, The Grassroots Institute, Kanada, prezantoi karakteristikat ekologjike të kullotave malore, ndjekur nga Martina Wolff, University of Strasbourg and Lyon ll inalco paris/Luigj Turmalaj, UBT, të cilët folën për ndërveprimin tradicional mes kullotave, blegtorëve dhe bagëtive.


Po ashtu, Petrit Dobi, Rural Association Support Programme, solli në vëmendje ndikimet e ndryshimeve klimatike në përdorimin sezonal të kullotave, ndërsa H. Arjjumend ngriti debatin mbi dilemën e kullotjes si armike e ekosistemeve natyrore, duke ofruar një perspektivë kritike mbi balancën mes ruajtjes dhe shfrytëzimit të resurseve.


Një vend të veçantë zunë edhe diskutimet nga M. Wolf mbi sfidat moderne të blegtorëve lëvizës në Shqipëri, përfshirë pengesat veterinare dhe kufizimet në lëvizshmërinë e bagëtive, si dhe mundësitë për ruajtjen dhe zhvillimin e blegtorisë tradicionale sipas Enea Malaj, UBT.


Në përmbyllje, grupi i barinjve pjesëmarrës solli një qasje autentike mbi mënyrën e transmetimit të njohurive tradicionale nga brezi në brez dhe rolin që mund të luajnë të rinjtë në ringjalljen e kësaj tradite të vyer.



Një ditë inovacioni dhe bashkëpunimi në ICOALS 2025