Skip to Content

Workshop në UBT për strategjinë e ngritjes së fondeve dhe partneriteteve

Në Universitetin Bujqësor të Tiranës u organizua workshopi me temë “Zhvillimi i Strategjisë për Ngritjen e Fondeve dhe Partneriteteve të Universitetit Bujqësor të Tiranës”, me pjesëmarrjen e drejtuesve të universitetit, stafit akademik dhe përfaqësuesve të Drejtorisë së Projekteve dhe Zhvillimit. Aktiviteti u organizua në bashkëpunim me Albanian-American Development Foundation (AADF), projektin BRIDGE dhe ANTTARC.

Workshopi synoi të nxisë diskutimin mbi krijimin e një qasjeje të qëndrueshme për zgjerimin e partneriteteve dhe rritjen e kapaciteteve të universitetit për të tërhequr fonde kombëtare dhe ndërkombëtare, në mbështetje të kërkimit shkencor dhe zhvillimit institucional.

Znj. Brixhilda Gurakuqi dhe z. Enrik Keco nga AADF prezantuan projektin BRIDGE dhe mundësitë që ai ofron për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet universiteteve dhe aktorëve të tjerë të zhvillimit. Ndërkohë, z. Myftar Doci nga ANTTARC prezantoi metodologjinë e procesit të planifikimit strategjik për hartimin e Strategjisë së Ngritjes së Fondeve dhe Partneriteteve.

Në fokus ishte edhe diskutimi i situatës aktuale të UBT-së në fushën e ngritjes së fondeve dhe partneriteteve, duke analizuar pikat e forta dhe të dobëta, mundësitë dhe sfidat ekzistuese. Gjithashtu u trajtuan modelet organizative, bashkëpunimi ndërmjet Drejtorisë së Projekteve dhe Zhvillimit me fakultetet dhe departamentet, si dhe nevojat prioritare për përmirësimin e menaxhimit dhe zhvillimit të projekteve në universitet.

Përfaqësuesit e AADF, BRIDGE dhe ANTTARC zhvilluan edhe një takim në Rektorat me Rektorin e Universitetit Bujqësor të Tiranës, Prof. Dr. Fatbardh Sallaku Zv/Rektoren për Shkencën dhe Projektet, Prof. Dr. Erinda Lika. Gjatë këtij takimi u diskutua mbi perspektivat e bashkëpunimit institucional dhe rëndësinë e forcimit të partneriteteve strategjike.

Rektori Sallaku vlerësoi kontributin e AADF në mbështetjen e arsimit të lartë dhe zhvillimit institucional në Shqipëri, duke theksuar se UBT vijon punën për rritjen e kapaciteteve akademike dhe zgjerimin e mundësive për projekte e bashkëpunime ndërkombëtare.