Historia dhe themelimi
Instituti i Lartë Bujqësor (ILB) u krijua më 1 nëntor të vitit 1951, vetëm 7 vite nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, kur Shteti Shqipatar kishte rikonfirmuar egzistencën e vet, fatkeqësisht si pjesë e kampit komunist. ILB u krijua në një kohë shumë të vështirë, kur Shqipëria kishte 4 dekada që ishte krijuar si shtet i ri, shkëputur nga Perandoria Osmane dhe pas 2 luftrave botërore. Leksionet e para mbi shkencat bujqësore u mbajtën në Fakultetin e Agronomisë në vitin 1951.
Krijimi i Institutit të Lartë Bujqësor (ILB) sot Universiteti Bujqësor i Tiranës (UBT) përkon me politikat shtetërore të shumë vendeve të Europës së pasluftës për të rritur prodhimin bujësor në përgjigje të varfërisë së përhapur dhe urisë. Rruga e ILB dhe arsimit të lartë në Shqipëri, fillon në Laprakë, 70 vite më parë. 5 vite më pas në vitin 1956, ILB çvendoset në Kodër Kamëz, në një territor të mbuluar nga pyjet e dushkut dhe livadhet që rrethonin Tiranën e asaj kohe, aty ku është edhe sot.
ILB u krijua në vitet kur Shqipëria ishte e zhytur në prapambetje dhe mjerim, në një situatë mesjetare që vëndet e Europës e kishin kaluar disa shekuj më parë. Në këto kushte ose 74 vite më parë, ILB hodhi themelet si shtëpia e dijes dhe shpresës, për qindra dhe mijëra djem dhe vajza studentë, e qindra pedagogë që u bënë pjesë e misionit për të transformuar nga e para jetën dhe mënyrën e sjelljes, të prodhuesit në fshat dhe konsumatorit në qytet.
Zhvillimi dhe struktura akademike
Në vitin 1959, Fakultetit të Agronomisë dhe Veterinarisë i shtohet Fakulteti i Shkencave Pyjore duke e strukturuar ILB, si universitet për tu drejtuar si institucion në nivel Rektorati. Falë stafit akademik të mrekullueshëm, shumica e të cilëve sillte “dije dhe shpresë nga Europa”, falë pasionit e profesionalizmit të tyre, ILB jep kontribut duke përgatitur çdo vit gjenerata me specialistë të zotë si arkitektë të ndryshimit dhe modernizimit të sektorit të bujqësisë dhe ushqimit.
Ky institucion, në një nga fasadat e auditorëve ka skalitur fjalët e Naim Frashërit “dhe dritë e diturisë përpara do na shpjerë” duke i qendruar besnik përgjatë 74 viteve misionit të rilindjes.
Shumë punë, kontribut dhe djersë në auditore, në biblioteka dhe sallat e studimit, në laboratore dhe ndërmarrjet bujqësore, për dekada me radhë e kthyen ILB në faktor të padiskutueshëm në dobi të zhvillimit të ekonomisë dhe Shoqërisë Shqiptare. Falë këtij kontributi, ILB u bë i njohur në rajon, në Europë dhe më gjërë. Studentët e diplomuar në ILB, duke filluar nga vitet 1980 mund të vazhdonin studimet e doktoratës në çdo vend të Europës, edhe për faktin se idologjia nuk kishte gjetur fole në programet e studimit të fakulteteve të agronomisë, veterinarisë, inxhinierisë pyjeve etj.
Fara e mbjellë në 1951 kishte mbirë, fidani dhe pema u rrit. ILB formëson identitetin dhe zë vendin e nderuar në nivel ndërkombëtar. Ata që kanë kontribuar dhe kontribuojnë janë shumë, disa mijëra persona te cilet kane qene dhe jane krenaria e ketij Institucioni. Këta mijëra studentë, shkencëtarë, drejtues katedrash, dekanë dhe rektorë vunë njëri pas tjetrës tullat dhe çatinë e Shtëpisë së Madhe, të Institutit të Lartë Bujqësor të Tiranës, duke e bërë atë “Pallatin e Dijes dhe Shkencës” të denjë për universitet. Vitet 1990 e gjejnë ILB me një kampus të konsoliduar me 4 fakultete; agronomi, ekonomi agrare, veterinari dhe pyje, me rreth 6000 studentë dhe 480 pedagogë.
Ndikimi kombëtar dhe ndërkombëtar
Universiteti Bujqësor i Tiranës në vitet “90 trashëgon logon dhe çdo gjë të krijuar nga ILB në prag të “renies së murit të Berlinit”, në prag të ndryshimit të madh epokal të Europës dhe të Shqipërisë.
Kontributet e ILB-UBT janë të lidhura me mijëra specialistë që modernizuan sektorin e bujqësisë e të sigurisë ushqimore, që ndihmuan ndër vite për zhvillimin social-ekonomik të vendit në përgjithësi. UBT, ka drejtuar procese të transformimit rrënjësor si ai i bonifikimit, vlerësimit të cilësisë së tokës, studimeve në nivel kombëtar për ullirin, vreshtat, florën, faunën etj. UBT i ka ofruar bujqësisë shqiptare, kultivarë ose hibride të suksesëshme që përdoren edhe sot.
Vitet e para të tranzicionit të Shqipërisë ishin vitet e ristrukturimit të UBT me mbështetje të dy projekteve të financuara nga GTZ, Qeveria Gjermane dhe nga USAID, Qeveria e SHBA-së. Në vitet “90 fillon hapja e madhe kur pedagogët e më pas studentët e UBT bëhen pjesë e programeve të zhvillimit të kapaciteteve akademike të financuara nga BE dhe vëndet partnere.
Demokracia dhe hapja e madhe krijoji kushtet për formimin akademik dhe shkencor të qindra pedagogëve e mijërave studentëve në pothuajse gjithë vëndet e BE, SHBA etj. Ky proces bashkëpunimi, i ndërtimit dhe konsolidimit të urave të përbashkëta vazhdon intensivisht dhe është konkretizuar përmes dhjetra e qindra projekteve të financuara nga BE dhe donatorë të tjerë.
Në vijimësi, UBT ka ndjekur proceset e reformimit të arsimit të lartë në nivel Europian në përputhje me "deklaratën e Bolonjës" (2001). UBT ka treguar ndër vite se është e para në akreditimin e programeve përmes universiteteve publike dhe këmbëngulëse për arritjen dhe rritjen e standarteve.
Rezultat i bashkëpunimit ndërkombëtar dhe kontributit të stafit akademik janë fillimi i studimeve dhe kërkimit shkencor në Shkencat Mjedisore, Burimet Natyrore dhe në Bioteknologjinë Ushqimore, duke zgjeruar me sukses dimensionin ose ofertën për të rinjtë në përputhje me trendin dhe kërkesën e tregut.
UBT sot dhe vizioni për të ardhmen
Sot, UBT duke i qendruar besnik traditës ka zgjeruar ofertën në fushën e dijes dhe kërkimit shkencor; falë rritjes së kapaciteteve akademike dhe nivelit të ekspertizes laboratorike. Fakultetet, departamentet dhe pedagogët janë partnerët më të mirë të Qeverisë Shqiptare gjatë hartimit dhe zbatimit të programeve dhe strategjive të zhvillimit.
UBT pas 74 viteve është universitet i konsoliduar, me një kampus dhe infrastrukturë mësimore/laboratorike nga më të mirat në Shqipëri, me rreth 6000 studentë, me stafin akademik më të kualifikuar se asnjëherë më parë për fushat e dijes dhe kërkimit shkencor që mbulon, me një master plan zhvillimi strategjik përtej viteve 2030.
Mbas 74 viteve UBT ka shikimin e rrugën e pastër për të përmbushur misionin në fusha me rëndësi strategjike për vendin siç janë: siguria ushqimore, shëndeti i kafshëve i lidhur ngushtësisht me shëndetin publik, menaxhimin e burimeve natyrore (tokës, ujrave, biodiversiteti dhe përshtatja ndaj ndryshimeve të klimës), cilësinë e mjedisit, zhvillimin e ekonomisë bujqësore etj.
Sot pas 74 viteve UBT ka të qartë perspektivën dhe rrugën drejt viteve 2030. Me një mision: “UBT Qender Ekselence” me një rrugë të përcaktuar qartë për të arritur objektivat, me referencë dhe mbështetjen strategjike të siguruar nga Universiteti i Vjenës (BOKU).
Sot specialistët e diplomuar në UBT, i kanë dhënë jetë zonës rurale, prodhojnë dhe eksportojnë, mirepresin vizitorë dhe turistë, mbajnë gjallë traditën, promovojnë burimet natyrore dhe janë bërthama në perspektivën e zhvillimit të qendrueshëm. Të diplomuarit në UBT kanë dhënë dhe japin kontribut në administratën lokale dhe qendrore deri në postet më të larta drejtuese të shtetit.
Vështirë të gjesh një vënd a cep të botës ku nuk ka të diplomuar në UBT. Janë me qindra organizata, institucione dhe universitete anë e mbanë botës ku japin kontributin e tyre bijtë dhe bijat e UBT.
Aktualisht universiteti ka rreth 6000 studentë, 5 fakultete dhe 1 institut. AUT ofron 45 programe studimi të akredituara në nivele BSc, MSc dhe PhD (12 programe BSc, 27 MSc dhe 6 programe PhD). Universiteti ka 600 punonjës, nga të cilët më shumë se 300 janë profesorë ose profesorë të asociuar.