Alternativa e Punësimit të Studentëve
Alternativa e punësimit të studentëve
Studentët e diplomuar në nivelin e parë të studimeve në programin “Drejtim Agrobiznesi”, kanë kualifikimin e nevojshëm për të punuar në një numër të madh fushash si:
Menaxhimi i ndërmarrjeve që ofrojnë inpute për fermat bujqësore. Ndërmarrjet/bizneset që merren me ofrimin e farerave, plehrave kimike, mekanikës bujqësore. Këto ndërmarrje kërkojnë specialistë që kanë njohuri menaxheriale, të marketingut, financave dhe kontabilitetit por edhe njohuri bazike për sa i përket prodhimit bimor dhe atij shtazor, njohuri të cilat ne pretendojmë që të diplomuarit në programin ‘Drejtim Agrobiznesi’ ti zotërojnë dhe aplikojnë.
Menaxhimin e fermave bujqësore dhe blektorale të orientuara nga tregu. Shumë ferma bujqësore të orientuara nga tregu (që shesin mbi 50% të prodhimit të tyre në vlerë) janë të interesuar për specialistë/menaxherë që kanë njohuri në fushat e prodhimit bujqësor dhe blegtoral, menaxhimit dhe marketingut të produkteve të tyre. Po ashtu ato janë të interesuara edhe për kompetenca dhe aftësi në financat e fermave dhe kontabilitetin e tyre.
Menaxhimin e ndërmarrjeve të përpunimit të produkteve bujqësore. Shumë kompani të përpunimit të produkteve bujqësore dhe prodhimit të ushqimit kanë një nevojë imediate për specialistë/menaxherë agrobiznesi, të tilla si ato të përpunimit të perimeve, të përpunimit të mishit, të përpunimit të qumështit, të përpunimit të frutave dhe rrushit. Studentët e diplomuar në këtë program mund të shërbejnë në këto kompani si menaxherë të përgjithshëm, drejtorë marketingu, agjentë shitjesh, specialistë financash si edhe kontabilistë.
Agjensi të ndryshme shtetërore. Studentët e diplomuar në programin ‘Drejtim Agrobiznesi’ janë të aftë dhe dinjitozë (në terma të njohurive që kanë përfituar) për të punuar edhe në institucione shtetërore (p.sh. në Ministritë relevante që merren me bujqësinë apo me zhvillimin ekonomik në përgjithësi apo agjensi tjera që kanë në fokus zhvillimin rural në përgjithësi dhe zhvillimin e sektorit të Agrobiznesit në veçanti). Institucionet dhe agjensitë publikë kanë nevojë për specialistë me njohuri në menaxhimin e agrobiznesit, në marketing apo edhe në financat e ndërmarrjeve të Agrobiznesit. Njohuritë e tjera bazë në fushën e prodhimit bimor, shtazor dhe në hortikulturë plotësojnë figurën e këtij specialisti që ne pretendojmë të përgatitim me këtë drejtim të ri.
Sistemi bankar dhe ai i mikrofinancës. Bazuar në faktin se studentët e diplomuar në drejtimin Agrobiznes marrin njohuri edhe në lidhje me bankat dhe agjensitë e mikrofinancës ata mund ta gjejnë veten shume mirë edhe si të punësuar në këto institucione. Veçanërsisht është për tu theksuar mundësia e madhe që kanë këta specialistë për tu punësuar në agjencitë e mikrofinacës që mund të operojnë apo që do të operojnë në Shqipëri në ndihmë të zhvillimit të sektorit buqjësor në përgjithësi dhe sektorit të Agrobiznesit në veçanti. Ata mund të punësohen në këto institucione si analistë kredie apo edhe si menaxherë të niveleve të ndryshme.
Në nivelin e politik-bërjes. Të diplomuarit në këtë program mund të vijojnë karrierën e tyre, edhe duke u angazhuar në nivelin e politikave të zhvillimit bujqësor në Shqipëri. Me njohuritë që fitojnë ata janë kompetentë për të qënë pjesëmarrës aktivë në këtë proces. Kjo do të nënkuptonte anëtarë të grupeve të punës të ministrive relevante për hartimin e politikave bujqësore apo punonjës në departamente të tjera me lidhje direkte apo indirekte me politik-bërjen.
Institucione të tjera publike dhe private. Ka shumë mundësi të zhvillimit të karrierës për studentët e diplomuar në fushën e Agrobiznesit. Studentët mund të punojnë për kompanitë e sigurimeve dhe sidomos për ato që përfshijnë në portofolin e tyre edhe sigurimin në bujqësi. Ata mund ta zhvillojnë karrierën e tyre edhe si sipërmarrës privatë të një agrobiznesi që e gjen veten në një nga tre hallkat e sistemit të Agrobiznesit, mund të vetëpunësohen si konsulentë agrobiznesi dhe asistojnë sipërmarrësit e agrobizneseve me plan biznese, me konsulencë menaxheriale apo edhe të marketingut. Ata mund të punësohen gjithashtu edhe si specialistë për organizma të ndryshme qeveritare dhe joqeveritare, që merren me çështje të zhvillimit rural dhe atij bujqësor dhe në veçanti me çështje të zhvillimit të agrobiznesit.