|
|
|
|
RREGULLORE E ZGJEDHJEVE PËR AUTORITETET DHE ORGANET DREJTUESE 2012-2016
MIRATOHET
KRYETARI Prof. Dr. Fatos HARIZAJ RREGULLORE
“PËR ORGANIZIMIN
E ZGJEDHJEVE PËR AUTORITETET DHE ORGANET DREJTUESE NË UNIVERSITETIN BUJQËSOR TË
TIRANËS”
KREU I: DISPOZITA TË PËRGJITHSHME 1.1 Objekti i kësaj Rregulloreje është organizimi i zgjedhjeve për autoritetet dhe organet drejtuese në Universitetin Bujqësor të Tiranës. Objekt i rregullimit janë: a) caktimi i njësive zgjedhore; b) organizimi dhe funksionimi i komisioneve zgjedhore; c) afatet, procedura dhe kompetenca për regjistrimin e kandidatëve; ç) afatet, procedura dhe kompetencat për përgatitjen e listës së trupave zgjedhore; e) procedura e votimit, numërimit dhe shpalljes së rezultateve; ë) shqyrtimi i ankimimeve ; f) rregulla të tjera në lidhje me zgjedhjet. 1.2. Kjo rregullore është përgatitur në përputhje me ligjin Nr.9741, date 21.05.2007, "Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë", (i ndryshuar).
1.3. Subjekt i kësaj Rregulloreje është Universiteti Bujqësor i Tiranës.
1.4. Çdo anëtar i personelit të Universitetit Bujqësor të Tiranës ka të drejtën e tij të zgjedhjes dhe të të zgjedhurit, në përputhje me dispozitat e parashikuara në këtë Rregullore dhe në ligjin "Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë", (i ndryshuar)
1.5. Çdo student ka të drejtën e zgjedhjes së autoriteteve drejtuese në UBT. Çdo student ka të drejtën e zgjedhjes dhe të të zgjedhurit për përfaqësuesit studentë në organet drejtuese të Universitetit Bujqësor të Tiranës, në përputhje me dispozitat e parashikuara në këtë Rregullore dhe në ligjin "Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë", (i ndryshuar).
KREU II: PARIMET BAZË 2.1. Zgjedhjet bëhen me votim të lirë, të fshehtë, të barabartë dhe të drejtpërdrejtë, sipas rregullave të parashikuara në këtë Rregullore. Zgjedhësit e ushtrojnë lirisht të drejtën e votës. 2.2. Me votë shprehet vetëm një preferencë për secilin post për autoritetet drejtuese. Çdo zgjedhës shpreh aq preferenca sa është edhe numri i vendeve të njësisë përkatëse, në secilën nga listat me kandidatë për secilin organ drejtues. 2.3. Çdo zgjedhës e ushtron të drejtën e tij të votës në ditën e zhvillimit të zgjedhjeve dhe pranë Komisionit të Zgjedhjeve të Fakultetit, ku ai ndodhet i regjistruar. Personeli i Rektoratit do të votojë pranë Fakultetit të Bujqësisë. 2.4. Çdo zgjedhës mund të ushtrojë të drejtën e votës vetëm në se paraqet një dokument zyrtar identifikimi dhe firmos në regjistrin e zgjedhjeve. 2.5. Është i ndaluar qëndrimi në ambientet e votimit i personave që nuk kanë të bëjnë me procesin e votimit, si dhe zgjedhës që kanë votuar.
KREU III: THIRRJA E ZGJEDHJEVE 3.1. Ministri i Arsimit dhe Shkencës shpall datën e fillimit të procesit zgjedhor në Institucionet Publike të Arsimit të Lartë dhe datën për zhvillimin e zgjedhjeve të autoriteteve dhe organeve drejtuese në këto institucione. 3.2. Zgjedhjet për autoritetet dhe organet drejtuese në Universitetin Bujqësor të Tiranës, për të gjitha nivelet, zhvillohen në të njëjtën ditë.
3.3. Autoritetet
drejtuese nuk mund të zgjidhen për më shumë se dy mandate radhazi në të njëjtin
funksion.
3.4. Zgjedhjet jashtë radhe për autoritetet drejtuese,
thirren menjëherë pas përfundimit para kohe të mandatit, por vetëm nëse pjesa e
mbetur e mandatit është mbi një vit.
Këto zgjedhje i nënshtrohen procedurave dhe afateve kohore të parashikuara në këtë rregullore për zgjedhjen e autoriteteve dhe organeve drejtuese. Kur pjesa e mbetur e mandatit është më pak se një vit, funksionin e autoritetit drejtues Rektor/dekan e kryen zëvendësi i tij deri në zgjedhjen e autoritetit të ri. Kur zëvendësat janë më shumë se dy, funksionin e autoritetit drejtues e kryen zëvendësrektori i caktuar nga Senati Akademik apo zëvendësdekani i caktuar nga Rektori. Në rastin kur mungon zëvendësdekani, atëherë Rektori cakton një zëvendësdekan nga personeli akademik i fakultetit me titullin më të lartë. Funksionin e autoritetit drejtues si përgjegjës i një njësie bazë, (departament/qendër kërkimi dhe zhvillimi) të munguar e kryen një nga anëtarët e personelit akademik të njësisë me titullin më të lartë i caktuar nga dekani. 3.5. Për organet drejtuese, plotësimi i një anëtari që mungon bëhet sipas renditjes në listën përkatëse të kandidatëve gjatë votimit për organin respektiv. Kur nuk ka kandidatë të tillë, atëherë autoriteti drejtues i institucionit thërret zgjedhjet për anëtarë të zgjedhur të organit drejtues përkatës.
KREU IV: ORGANIZIMI I ZGJEDHJEVE 4.1 Për organizimin e zgjedhjeve në Universitetin Bujqësor të Tiranës ngrihen komisionet e zgjedhjeve: Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve i Institucionit (këtu e më poshtë - KQZI), Komisionet e Zgjedhjeve te Fakulteteve (këtu e më poshtë - KZF) dhe Komisioni i Apelimit (këtu e më poshtë - KA). Zgjedhjet organizohen dhe zhvillohen nën drejtimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të UBT-së. 4.2 Votimi për organet dhe autoritetet drejtuese në të gjitha nivelet, në UBT zhvillohen pranë Qendrave të Votimit të njësive kryesore. Komisionet e Zgjedhjeve të Fakulteteve janë përgjegjëse për mbarëvajtjen e zgjedhjeve në njësinë kryesore përkatëse.
4.3. Votimi për përgjegjësit e njësive bazë (departament/qendër kërkimi dhe zhvillimi) bëhet në njësinë kryesore, sipas procedurave dhe modaliteteve të përcaktuara nga KZF-ja përkatëse.
4.4. Autoritetet drejtuese të institucionit dhe të fakulteteve te tij, si dhe kancelarët respektivë të tyre, duhet të vënë në dispozicion të procesit të zgjedhjeve, si për autoritetet dhe organet drejtuese, personelin dhe mbështetjen e nevojshme administrative e materiale.
KREU V: KOMISIONET E ZGJEDHJEVE 5.1 Përbërja e KQZI miratohet nga Senati Akademik, sipas propozimeve të rektoratit, brenda 6 ditëve nga shpallja e datës së fillimit të procesit zgjedhor. Në rast se Senati nuk arrin të mblidhet brenda afatit të caktuar, propozimet e rektoratit hyjnë automatikisht në fuqi. KQZI përbëhet nga jo më pak se shtatë anëtarë ( 5 anëtarë nga personeli akademik, 1 anëtarë nga personeli jo akademikë, 1 anëtarë nga studentët). Anëtarët e KQZI nuk mund të kandidojnë për ndonjë pozicion për autoritete drejtuese. Brenda 2 ditëve nga zgjedhja e tij KQZI zgjedh me shumicë votash, nga përbërja e tij kryetarin dhe zëvendës kryetarin. Ky moment shënon konstituimin e Komisionit me të gjitha të drejtat dhe detyrimet që përcakton kjo rregullore dhe ligji “Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë” ( i ndryshuar). Përbërja e KQZI shpallet menjëherë prej saj në mjedise të dukshme të Universitetit dhe fakultetit. 5.2 Përbërja e komisioni të zgjedhjes në fakultet miratohet nga këshillat e fakulteteve përkatës sipas propozimeve të dekanateve, brenda 6 ditëve nga konstituimi i KQZ. Në rast se Këshilli i fakultetit nuk arrin të mblidhet brenda afatit të caktuar, propozimet e dekanatit hyjnë automatikisht në fuqi. Komisioni i Zgjedhjes në fakultet përbëhet nga pesë anëtarë ( 3 anëtarë nga personeli akademik, 1 anëtarë nga personeli jo akademikë, 1 anëtarë nga studentët). Anëtarët e Komisionit të Zgjedhjeve në fakultet nuk mund të kandidojnë për ndonjë pozicion për autoritete drejtuese. Brenda 2 ditëve nga zgjedhja e tij KZF zgjedh me shumicë votash, nga përbërja e tij kryetarin dhe zëvendës kryetarin. Ky moment shënon konstituimin e Komisionit me të gjitha të drejtat dhe detyrimet që përcakton kjo rregullore dhe ligji “Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë” ( i ndryshuar). Përbërja e KZF shpallet menjëherë prej saj në mjedise të dukshme të fakultetit përkatës. 5.3 Kandidatët për autoritete drejtuese kanë të drejtë të kenë një përfaqësues të tyre si vëzhgues respektivisht pranë KQZI-së dhe KZF-ve, të cilët mund të ndjekin të gjitha veprimtaritë për zgjedhjet dhe mund të marrin pjesë në të gjitha mbledhjet e komisionit të zgjedhjeve, pranë të cilit janë atashuar. 5.4 Përbërja e Komisionit të Apelimit (KA) miratohet nga Senati Akademik i UBT-së, brenda tre ditëve kalendarike nga shpallja e datës së fillimit të proçesit zgjedhor. Përbërja e komisionit të apelimit miratohet nga Senati akademik sipas propozimeve të rektoratit brenda 6 ditëve nga shpallja e datës së fillimit të procesit zgjedhor. Në rast se Senati nuk arrin të mblidhet brenda afatit të caktuar, propozimet e rektoratit hyjnë automatikisht në fuqi. Komisioni i Apelimit përbëhet nga pesë anëtarë nga të cilët 1 anëtarë nga personeli jo akademikë, 1 anëtarë nga studentët. Në përbërje të këtij komisioni është e detyrueshme pjesëmarrja e një juristi. Anëtarët e Komisionit të Apelimit nuk mund të kandidojnë për ndonjë pozicion për autoritete drejtuese. Brenda 2 ditëve nga zgjedhja e tij KA zgjedh me shumicë votash, nga përbërja e tij kryetarin dhe zëvendës kryetarin. Ky moment shënon konstituimin e Komisionit me të gjitha të drejtat dhe detyrimet që përcakton kjo rregullore dhe ligji “Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë” ( i ndryshuar). Përbërja e KA shpallet menjëherë prej saj në mjedise të dukshme të Universitetit dhe fakulteteteve. 5.5. Regjistrimi i kandidatëve për poste të autoriteteve dhe organeve drejtuese, përcaktuar në pikën 6.1. të kësaj Rregulloreje, bëhet brenda pesë ditëve kalendarike nga konstituimi i komisioneve të zgjedhjeve. KQZI-ja dhe KZF-të, verifikojnë plotësimin nga kandidatët e paraqitur të kritereve të parashikuara në këtë Rregullore dhe sipas ligjit "Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë", (i ndryshuar). KQZI-ja dhe KZF-të zyrtarizojnë kandidatët, duke i renditur ata në lista të veçanta për çdo post autoriteti drejtues më vete. Për organet drejtuese, listat e kandidatëve do të jenë të veçanta sipas organeve drejtuese (Senat Akademik/Këshill i Administrimit/Këshill i Njësisë Kryesore) dhe sipas kategorive të ndryshme (personel akademik, personel joakademik dhe studentë).
5.6. KQZI-ja dhe KZF-të afishojnë listat e kandidatëve për postet e autoriteteve drejtuese Rektor dhe Dekan, listat e kandidatëve për përgjegjës të njësive bazë, si dhe listat e kandidatëve për organet drejtuese, në mjedise të dukshme të institucionit dhe fakulteteve përbërëse të tij, jo më vonë se dhjetë ditë nga data e konstituimit të tyre.
5.7. Listat e zgjedhësve, hartohen më vete për përfaqësues të kategorive të ndryshme të trupës zgjedhore: a) personel akademik; b) personel joakademik; c)studentë. Këto lista përgatiten nën përgjegjësinë e Rektoratit e dekanateve dhe ju dorëzohen KZF-ve jo më vonë se pesëmbëdhjetë ditë nga data e fillimit të procesit zgjedhor në Universitetin Bujqësor të Tiranës.
5.8. KZF-të afishojnë menjëherë listat paraprake të zgjedhësve në mjedise të dukshme të fakultetit përkatës.
5.9. Për çdo problem lidhur me listat e zgjedhësve, zgjedhësit duhet të njoftojnë KZF-në respektive, brenda tre ditëve kalendarike, nga shpallja e listave paraprake. Brenda dy ditëve kalendarike pas përfundimit të afatit të reklamimit të gabimeve në lista, KZF-të marrin vendim mbi reklamimet e bëra dhe të afishojnë listat përfundimtare të zgjedhësve.
5.10. KZF-të dorëzojnë kopje të këtyre listave në KQZI. KQZI i publikon ato në mjedise të dukshme të institucionit.
5.11. KQZI-ja dhe KZF-të, mbështetur në listat e veçanta që tregohen në aneksin 1, bashkëlidhur kësaj rregulloreje, për secilin organ drejtues (Senat Akademik, Këshill Administrimi, Këshill i Njësisë Kryesore) dhe për çdo post autoriteti drejtues, përgatisin fletëvotimet jo më vonë se 5 ditë kalendarike para datës së caktuar për zhvillimin e zgjedhjeve.
KREU VI:PARAQITJA E KANDIDATËVE
6.1. Paraqitja
e kandidatëve për konkurrim për të gjitha nivelet fillon që nga momenti i
konstituimit të komisioneve përkatëse të zgjedhjeve dhe përfundon brenda gjashtë ditëve kalendarike.
6.2. Kandidatët për Rektor, anëtar i Senatit Akademik dhe anëtar i zgjedhur i Këshillit të Administrimit, paraqiten për regjistrim pranë Kryetarit të KQZI-së. Kandidatët për Dekan, anëtar i Këshillit të Fakultetit, si dhe për përgjegjës të njësive bazë, paraqiten për regjistrim pranë Kryetarit të KZF-së respektive. Kryetarët e Komisioneve të Zgjedhjeve i lëshojnë secilit kandidat të regjistruar, përkatësisht, vërtetim regjistrimi, ku evidentohet edhe data e regjistrimit.
6.3. Fletë-aplikimi i një kandidati për konkurrim për autoritet drejtues apo anëtar i një organi drejtues, duhet të përmbajë gjeneralitetet e plota, vendin e punës dhe postin për të cilin kandidon. Kur kandidati është personel akademik i UBT-së, për regjistrim paraqet vetëm fletë aplikimin për konkurrim për autoritet drejtues apo anëtar i një organi drejtues. Kur kandidati nuk është personel akademik i UBT-së, përveç fletë aplikimit për konkurrim për autoritet drejtues apo anëtar i një organi drejtues për regjistrim paraqet një CV, një fotokopje të një dokumenti identifikimi zyrtar, dëshminë e gradës e titullit, dëshminë e penalitetit. Kandidati për autoritet drejtues rektor/dekan duhet të paraqesë edhe programin e tij për zhvillimin e institucionit apo njësisë përkatëse.
6.4. Universiteti Bujqësor i Tiranës u jep mundësi të barabarta dhe t'u ofrojë kushte të njëjta të gjithë kandidatëve për të marrë pjesë në konkurrim, të drejtën që të bëjnë paraqitjen e programeve të tyre zgjedhore në çdo formë dhe mënyrë të ligjshme përfshirë dhe mundësinë e organizimit të takimeve me zgjedhësit në ambiente të përshtatshme, etj
KREU VII:KRITERET PËR KANDIDATËT 7.1. Kandidatët për anëtar të Senatit Akademik, anëtar i zgjedhur i Këshillit të Administrimit, anëtar i Këshillit të Fakultetit, si dhe për autoritetet drejtuese: Rektor, Dekan dhe përgjegjës njësie bazë, duhet të plotësojnë kriteret e përcaktuara në këtë rregullore dhe në ligjin "Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë", (i ndryshuar).
7.2. Numri i anëtarëve të zgjedhur nga personeli akademik në Këshillin e Administrimit korrespondon me numrin e njësive kryesore te institucionit. Çdo njësi kryesore duhet të përfaqësohet detyrimisht në Këshillin e Administrimit. Këta anëtarë zgjidhen për një mandat 4 vjecar. Kandidati për anëtar i zgjedhur në Këshillin e Administrimit: a) nuk mund të kandidojë edhe për anëtar i Senatit Akademik, për postin e Rektorit, të dekanit/drejtorit apo përgjegjësit të departamentit; b) duhet të ketë së paku gradën shkencore "Doktor"; Anëtari i zgjedhur në KADM, nuk mund të emërohet në detyrën e zëvendës Rektorit, zëvendës dekanit apo Kancelarit.
7.3. Numri i përgjithshem i anëtarëve të Senatit Akademik përcaktohet në mbledhjen e Senatit Akademik të institucionit përkatës, brenda një jave nga data e fillimit të procesit zgjedhor. Kandidati për anëtar i Senatit Akademik nga personeli akademik: a) nuk mund të kandidojë njëkohësisht edhe për anëtar i zgjedhur i Këshillit të Administrimit; b) duhet të ketë së paku gradën shkencore "Doktor". Kandidati fitues për Dekan në njësi kryesore, konsiderohet i zgjedhur edhe për anëtar të Senatit Akademik, pa iu nënshtruar procesit zgjedhor në këtë organ drejtues.
7.4. Numri i përgjithshëm i anëtarëve të Këshillit të Fakultetit përcaktohet në mbledhjen e Këshillit të Fakultetit përkatës dhe miratohet nga Senati Akademik, brenda një jave nga data e fillimit të procesit zgjedhor. Kandidati fitues për përgjegjës të njësisë bazë, konsiderohet i zgjedhur dhe për anëtar të Këshillit të Fakultetit, pa ju nënshtruar procesit zgjedhor për këtë organ drejtues.
7.5. Në përcaktimin e numrit të përgjithshëm të anëtarëve të Senatit Akademik si dhe Këshillit të Fakultetit duhen mbajtur në konsideratë raportet e përcaktuara në ligj për përfaqësimin në masën 15% të studentëve dhe 5% të personelit joakademik.
7.6. Kandidati për postin e një autoriteti drejtues, duhet të plotësojë kriteret e përcaktuara në këtë rregullore dhe në ligjin "Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërise", (i ndryshuar).
Mund të konkurojnë për postin e një autoriteti drejtues edhe kandidatë nga jashtë institucionit, që plotesojnë kriteret e mësipërme dhe formimi i tyre akademik përkon me ato të institucionit. Nëse kandidatë të tillë rezultojnë fitues për postin e një autoriteti drejtues, ata punësohen me kohë të plotë në postin përkatës brenda institucionit.
Kandidati për postin e autoritetit drejtues Rektor/dekan duhet të ketë së paku titullin ”Profesor i asociuar”, apo të ketë gradën shkencore "Doktor" (PHD) të fituar pranë universiteteve perëndimore dhe me përvojë akademike në këto universitete.
7.7. Kandidati për postin e autoritetit drejtues - përgjegjës i njësisë bazë, duhet të ketë së paku gradën shkencore "Doktor".
7.8. Kandidati për autoritet drejtues në UBT, nuk mund të kandidojë për më shumë se një post autoriteti drejtues në të njëjtën kohë.
7.9 Kandidatët nga studentët për anëtarë të Senatit Akademik, anëtar i zgjedhur i Këshillit të Administrimit të institucionit, apo anëtarë të Këshillave të Fakulteteve, duhet të jenë kandidatë që ndjekin studimet në atë institucion apo fakultet respektive, në sistemin me kohë të plotë. Kandidatët e mësipërm duhet të kenë një mesatare notash në vitin akademik paraardhës mbi 7(shtatë).
7.10 Nuk mund të kandidojnë për ndonjë post autoritet drejtues apo anëtar në organet drejtuese te institucionit, persona që janë duke vuajtur dënim me vendim gjyqësor të formës së prerë per vepra penale apo kundravajtje penale ose që janë dënuar më parë për vepra penale a kundravajtje penale.
KREU VIII: TRUPAT ZGJEDHËSE Trupa zgjedhëse përbëhet nga numri i përgjithshëm i personelit të miratuar nga MASH (510 punonjës).
8.1. Trupa zgjedhëse për Rektorin e një
Institucioni publik të Arsimit të Lartë përbëhet nga:
a) personeli akademik i institucionit, i cili është i punësuar me kohë të plotë. b) personeli joakademik i institucionit i punësuar me kohë të plotë. c) studentët të cilët ndjekin studimet me kohë të plotë në atë institucion.
8.2. Trupa
zgjedhëse për dekanin përbëhet nga:
a) personeli akademik i fakultetit, i cili është i punësuar me kohë të plotë. b) personeli joakademik i fakultetit, i cili është i punësuar me kohë të plotë. c) studentët të cilit ndjekin studimet me kohë të plotë në atë fakultet. 8.3. Trupa zgjedhëse për përgjegjësin e një njësie bazë përbëhet nga personeli akademik i njësisë bazë, i cili është i punësuar me kohë të plotë. 8.4. Trupa zgjedhëse për përfaqësuesit e personelit akademik të fakulteteve në Këshillat e Fakulteteve, në Senatin Akademik dhe në Këshillin e Administrimit, përbëhet nga personeli akademik i fakultetit respektiv i punësuar me kohë të plotë. 8.5. Trupa zgjedhëse për përfaqësuesit e personelit joakademik të fakulteteve në Këshillat e Fakulteteve përbëhet nga personeli administrativ e teknik, nga personeli bibliotekar dhe nga personeli teknik e punëtor i fakultetit, i punësuar me kohë të plotë.
8.6. Trupa zgjedhëse për përfaqesuesit e
personelit joakademik te institucionit (fakulteteve dhe rektoratit) në Senatin
akademik, përbëhet nga personeli administrativ e teknik, nga personeli
bibliotekar dhe nga personeli teknik e punëtor i institucionit, i punësuar me
kohë të plotë.
8.7. Trupa zgjedhëse për përfaqësuesit e studentëve të fakulteteve në Këshillat e Fakulteteve përbëhet nga studentët me kohë të plotë studimi të fakulteteve respektive. 8.8. Trupa zgjedhëse për përfaqësuesit e studentëve në Senatin Akademik përbëhet nga studentët me kohë të plotë studimi të institucionit. 8.9. Trupa zgjedhëse për përfaqësuesin e studentëve në Këshillin e Administrimit përbëhet nga Këshilli i studenteve të institucionit. 8.10. Në zgjedhjen e autoriteteve drejtuese, votat e studentëve dhe votat e personelit joakademik llogariten me përqindje. Ato vlejnë 20 për qind në totalin e përgjithshëm të votave për studentët dhe 5 për qind në totalin e përgjithshëm të votave për personelin joakademik.
KREU IX:MODELI DHE ADMINISTRIMI I FLETËVE TË VOTIMIT
9.1 Fletët e votimit për zgjedhjet përgatiten nga KQZI.
9.2 Fletët e votimit për autoritete të ndryshme drejtuese, për anëtarë të organeve të ndryshme drejtuese dhe që ju përkasin trupave të ndryshme zgjedhëse, të jenë me ngjyra të ndryshme dhe të dallueshme nga ana vizuale.
9.3 Në krye të secilës fletë votimi vendoset emërtesa e saj.
9.4 Në fletën e votimit vendosen emrat e kandidatëve për postin të cilit i përket ajo fletë votimi, sipas rendit alfabetik.
9.5 Për secilin kandidat në fletën e votimit shkruhet: - Emri, atësia, mbiemri i kandidatit, sikurse figuron në dokumentacionin e kandidimit. - Grada/titulli i kandidatit. Në rastet kur ka vetëm një kandidat në fletën e votimit, të krijohet mundësia e votimit kundër.
9.6 Modeli i secilës fletë votimi, miratohet nga KQZI.
9.7 Fletët e votimit vulosen në pjesën e pasme me vulën e KZF-së.
9.8 Vula e KZF-së përmban tekstin “Komisioni Zgjedhor i Fakultetit“.
9.9 KZF-të e njësive kryesore tërheqin në KQZI materialet e mëposhtme: - Fletët e votimit në përputhje me numrin e zgjedhësve të regjistruar në KZF-në përkatëse; - Vulën e KZF-së dhe të Kryetarit të saj; - Zarfin në të cilin është shënuar “Fletë të dëmtuara“; - Zarfin në të cilin është shënuar “Fletë votimi të papërdorura“; - Zarfin në të cilin është shënuar “Zarfi i procesverbaleve të vulosura“. 9.10 Administrimi i fletëve të votimit do të bëhet nga KZF-të përkatëse deri në momentin e numërimit të votave. Pas numërimit dhe ndarjes së fletëve të votimit dhe përgatitjes së procesverbaleve, zarfat e mësipërm, dërgohen në KQZI.
KREU X: VOTIMI
10.1 Votimi bëhet në qendrat e votimit pranë fakulteteve. KZF-ja funksionon edhe si komision votimi në qendrën e votimit të fakultetit. Në rastet kur numri i zgjedhësve vlerësohet nga KQZ-ja të jetë i madh dhe i papërballueshëm nga një qendër votimi, ajo në bashkëpunim me KZF-në, vendos krijimin e një qendre të re votimi dhe përcakton numrin e zgjedhësve sipas listave, vendodhjen e qendrës, përbërjen e komisionit të votimit, si dhe elementët e tjerë. Përbërja e komisionit të votimit si dhe vendodhja e qendrës/qendrave të votimit, bëhen publike në ambiente të dukshme të çdo fakulteti të paktën 5 ditë para ditës së votimit.
10.2 Votimet për autoritetet dhe organet
drejtuese të të gjitha niveleve në Universitetin Bujqësor të Tiranës,
zhvillohen në një ditë të vetme, në datën e caktuar nga Ministri i Arsimit dhe
Shkencës. Ato fillojnë në orën 08.00 dhe vazhdojnë deri në orën 16.00. Nëse në
qendrën e votimit ka zgjedhës edhe pas kësaj ore, qendra shpall të mbyllur
procesin e votimit me largimin e zgjedhësit të fundit.
10.3 KZF-të e njësive kryesore tërheqin
pranë KQZI-së materialet e votimit në ditën e zgjedhjeve në orën e caktuar nga
KQZI-ja. Në fakultetet që kanë më shumë se një qendër votimi, komisionet e
qendrave të votimit tërheqin pranë KZF-së përkatëse materialet e votimit në
orën e caktuar nga KZF-ja.
10.4 Procesin e votimit të trupave zgjedhëse në çdo fakultet e drejton kryetari i KZF-së/komisionit të qendrës se votimit ne fakultetin respektiv, në prani të anëtarëve të Komisionit. KZF-ja, nën drejtimin e kryetarit dhe zëvendëskryetarit dhe në prani të vëzhguesve të kandidatëve, një orë përpara hapjes së votimit, kryen këto detyra: a) vendos tryezat, karriget dhe dhomat e fshehta në mënyrë të tillë që të sigurohet fshehtësia e votimit dhe lëvizja e shpejtë dhe e lirshme e zgjedhësve; b) heq materialet propagandistike që mund të ndodhen në qendrën e votimit dhe rreth saj në një rreze prej 100 m; c) afishon udhëzimet për kryerjen e votimit në një vend të përshtatshëm dhe të dukshëm brenda qendrës së votimit; ç) vendos materiale të tjera të kërkuara nga KQZI-ja; d) kontrollon të gjitha materialet e marra në dorëzim; dh) u tregon vëzhguesve kutitë e votimit të zbrazëta dhe i mbyll ato, sipas procedurës së përcaktuar në shkronjën “e” të kësaj pike; e) në një nga faqet anësore të kutisë shënon qartë numrin e qendrës së votimit, si dhe vendos shenja dalluese, që i bëjnë të qartë zgjedhësit se ku duhet të hedhë çdonjërën nga fletët e votimit. Anëtarët e KZF-së, në prani të vëzhguesve, marrin vendim për hapjen e votimit dhe e nënshkruajnë atë. 10.5 Pas kryerjes së detyrave të përcaktuara më sipër, kryetari i KZF-së deklaron hapjen e votimit jo më përpara orës së parashikuar në pikën 10.2 të kësaj Rregulloreje. Gjatë zhvillimit të procesit të votimit, ndalohet rreptësisht përdorimi i celularëve nga anëtarët e komisioneve të zgjedhjes, nga vëzhguesit si dhe nga trupa e zgjedhësve. 10.6 Çdo zgjedhës do të votojë vetëm nëse paraqet një dokument zyrtar identifikimi si më poshtë: - Kartë identiteti - Pasaportë Zgjedhësi hyn i vetëm në dhomën e fshehtë dhe në fletën e votimit shënon në krah të emrit të kandidatit shenjën “X” ose “+”. 10.7 Votimi për zgjedhjen e autoriteteve drejtuese bëhet me listë kandidatësh. Secili zgjedhës ka të drejtën e vetëm një vote për secilin post për autoritet drejtues. Kandidatët për secilin post për autoritet drejtues duhet të jenë në të njëjtën listë. 10.8 Votimi për organet drejtuese bëhet me listë kandidatësh. Secili zgjedhës ka të drejtën të shprehë aq preferenca sa është edhe numri i vendeve të njësisë përkatëse në secilën nga listat me kandidatë për secilin organ drejtues (p.sh. Nëse një njësi kryesore ka 4 vende për anëtar të Senatit Akademik nga personeli akademik, ai mund të votojë për deri në tre preferenca, pasi një vend në SA, automatikisht është i Dekanit. Kandidatët për secilin organ drejtues prej secilës nga tre kategoritë e përcaktuara (personel akademik, personel joakademik apo studentë me kohë të plotë) duhet të jenë në listën përkatëse sipas kategorisë. 10.9 Konsiderohen të pavlefshme fletët e votimit që: - kanë shenja që nuk japin mundësi të identifikohet kandidati i përzgjedhur. - nuk janë fletë votimi të ofruara sipas rregullave të përcaktuara në këtë rregullore si dhe në akte të tjera nënligjore në zbatim të saj; - mbajnë shenja që deklarojnë identitetin e zgjedhësit; - votojnë për persona që nuk janë në listën e kandidatëve; - shprehin më shumë se një preferencë në listën e kandidatëve për zgjedhjen e autoriteteve drejtuese. - shprehin më shumë preferenca sesa numri i caktuar i vendeve në listën e kandidatëve për zgjedhjen e organeve drejtuese. Fletët e votimit të pavlefshme konsiderohen vetëm për llogaritjen e numrit të pjesëmarrësve në votim. Fletët e votimit të pambushura shprehin abstenim dhe konsiderohen vota të vlefshme. Në rastin kur regjistrohet vetëm një kandidat, fleta e votimit duhet të lejojë mundësinë e votimit kundër.
KREU XI: NUMËRIMI I VOTAVE DHE SHPALLJA E FITUESVE 11.1 Numërimi i votave bëhet në KZF, pas përfundimit të votimit në qendrën/at e votimit. Komisionet e qendrave te votimit të krijuara në rastet e përcaktuara në këtë Rregullore, pika 10.1 paragrafi i parë (përveç KZF), me përfundimin e procesit të votimit, mbyllin kutitë e votimit dhe i çojnë ato për numërim në KZF së bashku me procesverbalet përkatëse, të cilat duhet të jenë të firmosura nga të gjithe anëtarët e pranishëm në procesin e votimit. Nëse ndonjë anëtarë i komisionit të votimit nuk pranon të firmosë procesverbalin atëherë në të bëhet shënimi përkatës. Edhe në KZF me përfundimin e procesit të votimit duhet të mbyllen kutitë e votimit dhe të hartohen procesverbalet përkatëse sipas paragrafit të mësipërm të kësaj pike. 11.2 KQZI shpall të mbyllur procesin e votimit pasi ka përfunduar votimi në të gjitha qendrat e votimit të institucionit. Menjëhere pas kësaj fillon procesi i numërimit te votave në të gjitha KZF-të e institucionit. Vëzhguesit kanë të drejtë të ndjekin këtë proces. Me fillimin e procesit të numërimit të votave, kutitë e votimit duhet të jenë të mbyllura, Kutitë e votimit të hapura nuk janë të vlefshme. 11.3 KZF bën numërimin e votave për secilin kandidat për postin e autoriteteve drejtuese dekan dhe përgjegjës departamenti si dhe për secilin organ drejtues të votuar. Ajo llogarit rezultatet e votimit të kandidatëve për postin e dekanit, sipas modelit në Aneksin nr.2, bashkëlidhur kësaj rregulloreje, duke mbajtur në konsideratë peshat e votimit për secilën trupë zgjedhëse, dhe nxjerr rezultatin për përgjegjesat e njësive bazë si dhe listat me përbërjen e anëtareve në Këshillin e Fakultetit. KZF dërgon në KQZI rezultatin e zgjedhjeve për autoritetet drejtuese Dekan dhe Përgjegjës të njësive bazë si dhe listën e anëtarëve në Këshillin e Njësisë Kryesore për shpallje.
11.4 KQZI-ja ka për detyrë numërimin e votave të
secilës trupë zgjedhëse për postin e autoritetit drejtues Rektor. KQZI llogarit
rezultatin e votimit për secilin kandidat sipas modelit në aneksin
bashkëngjitur kësaj Rregullore.
11.5 KZF-ja dërgon në KQZI për secilin organ drejtues, (Senat Akademik, Këshill Administrimi) kandidatët fitues të njësisë kryesore nga personeli akademik, ndërsa për kandidatët në Senatin Akademik nga personeli joakademik dhe studentët, numrin e votave sipas trupave zgjedhëse respektive. 11.6 KZF dërgon në KQZI edhe procesverbalet e mbajtura lidhur me procesin e numërimit të votave dhe nxjerrjen e rezultateve në rastet që ajo është kërkuar. KZF-të shpallin listat e kandidatëve për anëtarë të Këshillit të Fakultetit të renditur sipas pikëve.
11.7 KQZI përgatit listën e anëtarëve të zgjedhur të Këshillit të Administrimit mbështetur në rezultatet e ardhura nga KZF-të e fakulteteve, pjese e atij institucioni. Përfaqësuesi nga studentët në Këshillin e Administrimit zgjidhet nga Këshilli i Studentëve të UBT-së.
11.8 Konsiderohet fitues në postin e autoriteteve drejtues Rektor, dekan dhe përgjegjës të njësisë bazë, kandidati i cili është renditur i pari në listë dhe rezultati i tij në përqindje është jo më i vogël se 33%. Nëse nga llogaritja e rezultatit të votimit kanë dalë dy ose më shumë kandidatë me pikë të barabarta, fituesi do të zgjidhet me short. Nëse për një post autoriteti drejtues paraqitet vetëm një kandidat, ai duhet të marrë të paktën 50% + 1 vota të pjesëmarrësve në votim. 11.9 Kur asnjë kandidat nuk rezulton fitues sipas përcaktimeve të kësaj rregulloreje, brenda dy javëve nga dita e votimit, zhvillohet raundi i dytë i zgjedhjeve midis dy kandidatëve me rezultatin më të lartë. Në raundin e dytë shpallet fitues kandidati që arrin rezultatin më të lartë. Data e zhvillimit të raundit të dytë të zgjedhjeve caktohet nga Ministri i Arsimit dhe Shkencës. 11.10 Në rastet kur në listat e kandidateve për anëtarë të Senatit Akademik, Këshillit të Administrimit dhe Këshillit të Fakultetit kandidatët e renditur brenda numrit të parashikuar të anëtareve kanë numër të barabartë votash, kandidati fitues zgjidhet me short. 11.11 Në rast se nuk paraqitet asnjë kandidat për një post të caktuar autoriteti drejtues, zgjedhjet për këtë pozicion përsëriten pas një periudhe një vjecare. Këto zgjedhje organizohen sipas procedurave dhe rregullave të përcaktuara në këtë rregullore.
KREU XII: ANKIMI 12.1 Në Universitetin Bujqësor të Tiranës, njihet e drejta për ankim lidhur me zbatimin dhe respektimin e procedurave, kritereve dhe llogaritjen e rezultateve të zgjedhjeve.
12.2 Ankimet që kanë të bëjnë me respektimin e procedurave dhe zhvillimin e fushatës së zgjedhjeve si dhe organizimin e votimeve për të gjitha nivelet, deri ditën e votimit (përfshirë edhe këtë ditë) i drejtohen me shkrim KQZI-së, i cili pasi e shqyrton merr masat përkatëse.
12.3 Apelimet që kanë të bëjnë me vendimet lidhur me rezultatet e votimit dhe shpalljen e fituesve i paraqiten me shkrim Komisionit të Apelimit brenda tri ditëve nga shpallja e rezultatit të votimit. Komisioni i Apelimit thërret për sqarim kryetarin, zëvendëskryetarin si dhe anëtarë të Komisionit të Zgjedhjeve përkatës kur e gjykon të arsyeshme, gjithashtu edhe apeluesin.
12.4 Komisioni i Apelimit merr vendim brenda tre ditëve me shumicë votash të të gjithë anëtarëve të tij. Vendimi duhet të jetë i arsyetuar dhe të pasqyrojë edhe mendimin kundër.
12.5 Vendimi i Komisionit të Apelimit është përfundimtar dhe duhet ekzekutuar.
KREU XIII: PËRCJELLJA E KANDIDATËVE TË ZGJEDHUR DHE EMËRIMI I TYRE 13.1 Kandidati i shpallur fitues nga KQZI-ja për secilin post të autoriteteve drejtuese i përcillet për kompetencë organit të emërtesës sipas përcaktimeve të bëra në ligjin « Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë», (i ndryshuar). Kandidatët fitues për autoritetet drejtuese, shoqërohen me procesverbalin dhe vendimin e mbledhjes zgjedhëse, me deklaratë pranuese të të zgjedhurve dhe nëse ka ankim, dokumentacionin e plotë të tyre dhe vendimet përkatëse.
13.2 Organet e emërtesës duhet të ushtrojnë të drejtën e emërimit brenda një muaji, nga data e paraqitjes së kandidaturës.
13.3 Anëtaret e organeve drejtuese: Senat Akademik, Këshill i Administrimit dhe Këshilla të njësive kryesore shpallen nga KQZI-ja. Këto organe drejtuese fillojnë veprimtarinë e tyre me thirrjen e mbledhjes së parë.
KREU XIV: DISPOZITA TË FUNDIT 14.1 Autoritetet dhe organet drejtuese në UBT, gjatë procesit zgjedhor vazhdojnë të ushtrojnë të gjitha kompetencat e tyre përveç: - Punësimit të personelit akademik dhe administrativ;
14.3 Mbledhja e parë e Senatit Akademik të dalë nga zgjedhjet, thirret nga Ministri i Arsimit dhe Shkencës, pas dekretimit të Rektorit nga Presidenti i Republikes dhe të dekanit nga Rektori i dekretuar. Senati Akademik e përfundon aktivitetin e tij me përfundimin e procesit zgjedhor dhe shpalljen nga KQZI-ja të përbërjes së Senatit të ri Akademik.
14.4 Mbledhja e parë e këshillave të fakulteteteve thirret nga Rektori i dekretuar. Kjo shënon dhe shfuqizimin e këshillave të mëparshëm dhe fillimin e punës së këshillave të rinj.
14.5 Dokumentacioni i zgjedhjeve bëhet në dy kopje, nga të cilat njëra ruhet në njësinë përkatëse, kurse tjetra i përcillet organit të emërtesës. Dokumentacioni në njësinë përkatëse ruhet për një vit.
14.7 Fletët e votimit në kutitë e votimit, pas numërimit sipas emërtesës së tyre, të arshivohen dhe ruhen. Vendi, afati dhe përgjegjësia e arshivimit dhe ruajtjes së tyre përcaktohen nga KQZI. ANEKSI 1 FLETËT E VOTIMIT QË DO TË PËRGATITEN PËR TË VOTUAR PRANË KZF-VE: 15.1 Për personelin akademik: 15.1.1 Lista e kandidateve për rektor; 15.1.2 Lista e kandidateve për dekan; 15.1.3 Lista e kandidateve për përgjegjës njësie bazë të fakultetit përkatës; 15.1.4 Lista e kandidateve nga personeli akademik i fakultetit përkatës për anëtarë të Senatit akademik; 15.1.5 Lista e kandidateve për anëtarin e zgjedhur nga personeli akademik i fakultetit përkatës për Këshillin e administrimit; 15.1.6 Lista e kandidateve nga personeli akademik i fakultetit përkatës për anëtarë të Këshillit të Fakultetit; 15.2 Për personelin joakademik:15.2.1 Lista e kandidateve për rektor; 15.2.2 Lista e kandidateve për dekan të fakultetit përkatës; 15.2.3 Lista e kandidateve nga personeli joakademik i institucionit për anëtarë të Senatit akademik; 15.2.4 Lista e kandidateve nga personeli joakademik i fakultetit përkatës për anëtarë të Këshillit të Fakultetit; 15.2.5 Lista e kandidateve për anëtarin e zgjedhur nga personeli jo akademik për Këshillin e administrimit 15.3.1 Lista e kandidateve për rektor; 15.3.2 Lista e kandidateve për dekan; 15.3.3 Lista e kandidateve nga studentët për anëtarë të Senatit akademik; 15.3.4 Lista e kandidateve nga studentët e fakultetit përkatës për anëtarë të Këshillit të Fakultetit; 15.3.5 Lista e kandidateve për anëtarin e zgjedhur nga studentët për Këshillin e administrimit Listat e kandidatëve për postin e autoritetit drejtues rektor/dekan dhe për përfaqësuesit e kategorive të ndryshme në organet drejtuese, të jenë të dallueshme nga njëra tjetra për çdo trupë zgjedhëse.
ANEKSI 2
Llogaritja e përqindjes fituese për kandidatët për rektor, dekan/drejtor do të bëhet sipas formulës:
Ku R% është rezultati i shprehur në përqindje i një kandidati për një pozicion të caktuar. ■ A është numri i votave pro kandidatit nga personeli akademik. ■ Ni është numri i përgjithshëm i votave të vlefshme nga personeli akademik. ■ B është numri i votave pro kandidatit nga personeli joakademik. ■ N2 është numri i përgjithshëm i votave të vlefshme nga personeli joakademik. ■ C është numri i votave pro kandidatit nga studentët. ■ N3 është numri i i përgjithshëm i votave të vlefshme nga studentët. |
















