Ceremonia e nderimit të figurës së shquar Prof. Dr. Xhafer Qosja dhe të veprave të tij

Universiteti Bujqësor i Tiranës mbajti sot ceremoninë e nderimit të figurës së shquar Prof. Dr. Xhafer Qosja dhe të veprave të tij

Në përvjetorin e 100 të lindjes së Profesor Qoses Fakulteti i Bujqësisë dhe Mjedisit në UBT organizoi këtë ceremoni për vlerësimin e figurës, veprave të tij dhe kontributit të dhënë në këtë fakultet prej vitesh me radhë.

Me shumë respekt e mirënjohje, Rektori i Universitetit Bujqësor të Tiranës, Prof. Dr. Fatbardh Sallaku mbajti fjalën e tij në përkujtim të figurës së Profesor Qoses, ku si një ish- student i tij u shpreh falenderues për kontributin si akademik e shkencëtar për të gjithë brezat që u edukuan e arsimuan mbi bujqësinë prej tij.

Ceremonia e nderimit të figurës së Xhafer Qoses, në prani të vajzës së tij Znj. Mirjeta,  u moderua nga Zëvendës Rektorja për Kërkimin Shkencor dhe Projektet, Prof. Dr. Erinda Lika, e cila theksoi se UBT do të vazhdojë të vlerësojë dhe nderojë me krenari personalitetet e shquara që kanë dhënë kontribut të çmuar e të pakrahasueshëm në fushën e bujqësisë, duke promovuar dhe përçuar vlerat akademike e shkencore të tyre edhe tek brezat e ardhshëm.

Vlerësimet e përzemërta për Profesor Qosen ishin edhe nga Prof. Dr. Ilir Kristo, Prof. Dr. Lirika Kupe, Prof. Dr. Vjollca Ibro, Prof. Dr. Arsen Proko etj.

Xhafer Qosja ka lënë gjurmë të thella në fushën e botanikës në Shqipëri. Ai është autor e bashkëautor i shumë teksteve, punimeve e artikujve shkencore ku përmendim: “Flora e Shqipërisë", “Barërat e këqija të kulturave bujqësore në Shqipëri”, “Flora dhe vegjetacioni i Shqipërisë juglindore”, “Flora e Korçës”, “Bota e mikroorganizmave, dobitë dhe dëmet”. “Flora e Tiranës” etj.

Panairi i Librit Akademik