Lançohet projekti i shpallur fitues me temë "Hartëzimi dhe vlerësimi i habitatit dhe të llojeve të rriqrave që gjenden në Shqipëri dhe përcaktimi me PCR i patogjeneve që mbartin"

Ky projekt sjell për herë të parë një bashkëpunim në projekt mes dy fakulteteve të Universitetit Bujqësor të Tiranës, Fakultetit të Mjekësisë Veterinare dhe Fakultetit të Shkencave Pyjore.

Projekti financohet nga AKKSHI dhe ka për qëllim përcaktimin e llojeve të rriqrave që gjenden në gjithë territorin e vendit dhe në të gjitha llojet e bujtësve, krijimin e hartës së shpërndarjes së rriqrave dhe ndërlidhjes me hartën kullosore dhe pyjore të gjithë territorit dhe përcaktimin me RT-PCR të patogjeneve që rriqrat trasmetojnë.

Rektori Prof. Dr. Fatbardh Sallaku apeloi nxitjen e pjesëmarrësve të rinj në projekte të tjera dhe ofroi mbështetjen për gjithë ata kërkues të rinj që kanë nevojë për këshillim. Ai shprehet se UBT gjithnjë e më tepër po përpiqet të përfshijë  studentët e masterit në implementimin e këtyre projekteve për t'i njohur me terrenin e kërkimit shkencor dhe për t'i aftësuar më tepër në këtë fushë.

Drejtoresha e Përgjithshme e AKKSHI, Znj. Mirela Muça u shpreh se agjencia po mbështet me financim gjithnjë e më shumë projekte inovatore të kërkimit shkencor në sektorin e bujqësisë, ku bëri thirrje edhe për përfshirjen akoma më të madhe të UBT me projekte të reja duke qenë se mbart studimet e shumë fushave të këtij sektori. 

Ndër të tjera ajo theksoi se për të qenë një projekt fitues duhet patur shumë kujdes në hartimin e projektit, planifikimin, metodologjinë e kërkimit, zërat buxhetor, target-grupin e synuar dhe implementimin e tij. Sipas saj, është shumë e rëndësishme që projektet të kenë objektiv përfitueshmërinë e lartë të rezultateve të projektit tek komuniteti dhe të kenë qasje edhe për pjesëmarrje në projekte ndërkombëtare. 


Në kuadër të Javës Globale të Sipërmarrjes u prezantua projekti për Fermë Didaktike Eksperimentale të Universitetit Bujqësor të Tiranës.