Në Universitetin Bujqësor të Tiranës u zhvillua një sesion informues nga Agjencia Startup Albania me studentët dhe stafin akademik të UBT për shpalljen e grantit për financimin e startup-eve novative në vend.
Qëllimi i kësaj agjencie, nën vartësinë e Ministrisë së Sipërmarrjes dhe Klimës së Biznesit, ka të bëjë me nxitjen dhe zgjerimin e sipërmarrësve të rinj nëpërmjet mbështetjes, inkurajimit dhe politikave lehtësuese që synojnë përmirësimin e ekonomisë dhe zhvillimin e inovacionit.
Zëvendës Rektorja për Shkencën dhe Projektet në UBT, Prof. Dr. Erinda Lika vlerësoi këtë mundësi që ofrohet për studentët por edhe stafin akademik të UBT dhe u bëri thirrje që të aplikojnë, duke hedhur kështu hapat drejt karrierës së suksesshme.
Për këtë arsye, gjatë fjalës së tij, Drejtori i Agjencisë Startup Albania, Z. Arjan Ymeri theksoi se lidhja e qëllimit të agjencisë me fushën akademike synon krijimin e urave lidhëse dhe bashkëpunuese midis akademisë dhe mjedisit sipërmarrës.
Ai shpjegoi të gjithë procedurën që duhet ndjekur për aplikimin, fushat ku mund të përfitoni financim për startup-in tuaj, fazat zhvillimore të tij, si dhe kriteret e pranueshmërisë dhe vlerësimit.
Në kuadër të këtij misioni, me një fond të konsiderueshëm në vlerën prej 300 milion lekësh, agjencia fton të aplikojnë studentët apo stafi akademik i interesuar para datës 24 Mars duke përftuar kështu nga mbështetja e startup-ve.