Universiteti Bujqësor i Tiranës inauguroi zyrën e Projekteve, një tjetër mundësi e ideuar dhe projektuar në dobi të studentëve të këtij universiteti shumë të rëndësishëm por edhe stafit akademik të këtij institucioni i cili vazhdimisht punon në drejtim të rritjes dhe përmirësimit të cilësisë së mësimdhënies.
Kjo zyrë synon inkurajimin dhe partneritetin midis institucioneve në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar me qëllim pjesëmarrjen në projekte; ofron informacion për personelin akademik dhe studentët e të gjitha niveleve për mundësitë që ofrohen nëpërmjet programeve dhe projekteve të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare nga universitete dhe qendra të tjera kërkimore dhe shkencore brenda dhe jashtë vendit; lehtëson dhe ndihmon në kërkimin e partnerëve për realizimin e aplikimeve në programe dhe projekte të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare; informon personelin akademik dhe të gjithë të interesuarit e tjerë lidhur me procedurat e përgatitjes, aplikimit dhe zbatimit të projekteve dhe trajnimeve në fushat e shkencave bujqësore dhe mjedisit; realizon rolin e Koordinatorit Institucional për programe të ndryshme të financuara nga Bashkimi Evropian; ndihmon personelin akademik me problemet që hasin gjatë zbatimit të projekteve; bashkëpunon me kompani që kanë eksperiencë në zhvillimin dhe administrimin e projekteve që mbështeten nga programe të ndryshme të Komisionit Europian për zhvillim kapacitetesh, kërkim shkencor, studime të orientuara etj; angazhohet në trajnime të ndryshme me qëllim rritjen e kualifikimit të punonjësve të zyrës dhe ndërmerr një sërë iniciativash dhe qëllimesh në drejtim të maksimizimit të cilësisë në UBT, përmirësimit të kapaciteteve për këtë institucion etj.
Në ceremoninë e inaugurimit morën pjesë përfaqësues të Rektoratit të UBT, pedagogë/e, student/e si dhe personat përgjegjës të projekteve të ndryshme që UBT implementon falë edhe bashkëpunimit me partnerë vendas e të huaj.