Universiteti Bujqësor i Tiranës vazhdon të zgjerojë gjithnjë e më tepër bashkëpunimin me institucionet vendore në vend, këtë herë duke nënshkruar Marrëveshjen e Bashkëpunimit me Bashkinë Përmet.
Rektori i Universitetit Bujqësor të Tiranës Prof. Dr. Fatbardh Sallaku dhe Zëvendës Kryetari i Bashkisë Përmet, Z. Florand Hasani, patën mundësinë të firmosnin Marrëveshjen e Bashkëpunimit e cila do të mundësojë ndërtimin e urave të reja të institucionalizimit të bashkëpunimit në fushën e bujqësisë.
Në kuadër të kësaj marrëveshjeje UBT do të ofrojë trajnime, seminare, workshope nga stafi i tij profesional mbi kryerjen e studimeve për rajonizimin e kulturave bujqësore në territorin e Bashkisë Përmet, praktikat më të mira në përdorimin e tokës bujqësore, orientimin drejt bujqësisë organike, konsolidimin e kulturave bujqësore, reduktimin e erozionit dhe rreziqeve të tjera mjedisore, rehabilitimin e kanaleve vaditëse, menaxhimin e pyjeve dhe kullotave etj.
Rektori dhe stafi i UBT zhvendosën takimin e tyre edhe në gjimnazin e qytetit "Sami Frashëri" ku zhvilluan një bashkëbisedim me objektiv informimin dhe këshillimin e maturantëve për të orientuar studimet e tyre të larta nga degët e studimit që Universiteti Bujqësor ka.
Pjesë e turit që ka nisur Rektori i UBT dhe stafi i tij për promovimin e Universitetit ishte edhe Gjimnazi "Abaz Shehu" në Tepelenë.
Së bashku për Universitetin Bujqësor të së ardhmes