Kënaqësi që së bashku me Ministren e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Znj. Anila Denaj dhe Z. Karl Bergner, Ambasador i Republikës së Gjermanisë në Tiranë, morëm pjesë në hapjen për herë të parë në Universitetin Bujqësor të Tiranës të Qendrës Gjeoinformative për Ballkanin Perëndimor, në bashkëpunim me Institutin Leibniz për Zhvillimin Bujqësor në Ekonomitë në Tranzicion në Halle (IAMO), Gjermani dhe me financim nga Ministria Federale Gjermane e Ushqimit dhe Bujqësisë (BMEL).
Në fjalën e tij në takimin e hapjes së projektit “Ngritja e një Qendre Gjeoinformative për Ballkanin Perëndimor në Universitetin Bujqësor të Tiranës“, Rektori i UBT, Prof. Dr. Fatbardh Sallaku theksoi faktin se misioni i kësaj Qendre është të mbështesë sektorin bujqësor të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor në procesin e anëtarësimit në BE përmes përmirësimit të kapaciteteve njerëzore në analizën e të dhënave hapësinore, përdorimin e Sistemeve të Informacionit Gjeografik (GIS) dhe teknologjive të sensorit në distancë.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Znj. Anila Denaj, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të institucioneve që trajtojnë këtë çështje me qëllim koordinimin dhe përdorimin sa më efektiv të informacionit që këto institucione posedojnë. Nga ana tjetër ajo evidentoi rëndësinë e ngritjes së kësaj qendre dhe rolin që duhet të luajë ajo në ndihmë të fermerëve shqiptar për një integrim sa më të shpejtë dhe të sigurtë të bujqësisë shqiptare dhe zonave rurale në Bashkimin Evropian.
Në fjalën e tyre Z. Karl Bergner, Ambasador i Republikës së Gjermanisë në Tiranë; Z. Frank Müller, Konsull Rajonal për Bujqësinë i Ambasadës Gjermane; Z. Razvan Ghitescu, Menaxher për Sektorin e Bujqësisë në Delegacionin e BE në Tiranë dhe Znj. Vilma Tomço, Drejtoreshë e Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapsinor, theksuan nevojën e bashkëpunimit institucional si dhe rëndësinë që paraqet hapja e një qendre të tillë në procesin e negociatave të Shqipërisë me BE, për të forcuar elasticitetin dhe për të rritur konkurrencën e sektorit agroushqimor, menaxhimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore, veprimin ndaj klimës dhe përmirësimin e atraktivitetit të zonave rurale në vend.
Aktivitetet kryesore të kësaj Qendre do të fokusohen në (i) përmirësimin e njohurive në menaxhimin dhe analizën e gjeodatave, (ii) krijimin e qendrës rajonale të të dhënave gjeoinformative dhe (iii) forcimin e rrjetit rajonal për kërkimin e gjeoinformacionit.
I dizenjuar për t'i shërbyer të gjithë personave të interesuar nga të 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, gjatë implementimit të këtij projekti do të zhvillohen kurse trajnimi, shkolla verore, si dhe aktivitete të tjera, të cilat do të kryhen në Qendër gjatë gjithë periudhës 2-vjeçare të projektit. Kurset janë të hapura dhe falas për të gjithë personat nga vendet e Ballkanit Perëndimor.
Krenarë që ky institucion unik në vend vazhdon të fuqizohet dhe pasurohet çdo ditë me shërbime të tilla, duke konfirmuar faktin që UBT ka qenë dhe vazhdon të jetë Universiteti kryesor i Shkencave të Jetës në Shqipëri, si dhe qendra më e rëndësishme e kërkimit dhe e studimeve akademike në fushën e bujqësisë, pylltarisë, mjedisit, burimeve natyrore, ushqimit, agrobiznesit dhe zhvillimit rural.
Së bashku për Universitetin Bujqësor të së ardhmes