Në kuadër të Skemës Kombëtare të Trajnimit në Bujqësi, komponenti ‘Fermat Lider’, pedagogët më me përvojë të Universitetit Bujqësor të Tiranës do të ndjekin në mënyrë të drejtpërdrejtë teknologjitë bujqësore në 50 ferma që janë zgjedhur pëmes aplikimit nga e gjithë Shqipëria.
Në këtë kuadër, më datë 15.05.2024 pedgogët e UBT, Prof. Dr. Lumturi Sena dhe Dr. Manjola Kuliçi, kanë ofruar asistencën e tyre mbi praktikat e mira të kontrollit pranveror në Bletarinë “Spaho”, Cërrik, Elbasan.
Qëllimi i kësaj asistence fushore ishte transmetimi tek bletarët i praktikave të mira të kontrollit pranveror, të cilat reduktojnë stresin në koloninë e bletëve, rrisin eficencën e menaxhimit e të balancimit të familjeve dhe promovojnë operacione produktive të bletarisë.
U inspektua dhe u analizua gjendja e familjeve bletë në Bletarinë “Spaho”, niveli i humbjeve, shkaktarët e mundshëm të këtyre humbjeve dhe forca e zhvillimit pranveror në familjet që kanë dimëruar me sukses.
Më tej u bë një vlerësim i gjendjes së depove, furnizimit me ushqim dhe disponueshmërisë së burimeve mjaltdhënëse, performancës së mbretëreshave dhe seleksionimit të tyre, gjendjes së zgjojve e pajisjeve si dhe ekspozimit ndaj pesticideve e rrisqeve të tjera.