Universiteti BOKU i Vjenës, Austri “MBËRRIN” në UBT
Të lumtur që pas shumë përpjekjesh dhe pune të palodhur nga ekipet e Universitetit BOKU dhe UBT, u finalizua në Vjenë Marrëveshja ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Austrisë dedikuar posaçërisht projektit strategjik të Bashkëpunimit ndërmjet Universitetit BOKU, Vjenë dhe Universitetit Bujqësor të Tiranës.
Kjo Marrëveshje u firmos nga Z. Martin Polaschek, Ministri Federal Austriak për Arsimin, Shkencën dhe Kërkimin, Z. Norbert Totschnig, Ministri Federal Austriak i Bujqësisë, Pylltarisë, Rajoneve dhe Menaxhimit të Ujërave, Znj. Ogerta Manastirliu, Ministre e Arsimit dhe Sporteve dhe Znj. Anila Denaj, Ministre e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, në prani të stafeve drejtuese të Universitetit BOKU Vjenë dhe Universitetit Bujqësor të Tiranës, si dy institucionet kryesore përfituese nga kjo Marrëveshje.
Nëpërmjet kësaj Marrëveshje, e cila është historike dhe më e rëndësishmja që një IAL në Shqipëri ka arritur, UBT është i gatshëm të ndërmarrë dhe implementojë reformën më të thellë të realizuar ndonjëherë në një universitet publik në Shqipëri, duke synuar ndryshimin total të arkitekturës aktuale të programeve mësimore dhe kërkimit shkencor.
Dokumenti
strategjik “BOKU-UBT 2030”, përfshin 6 shtylla të zhvillimit dhe
reformimit të UBT, të orientuara totalisht sipas modelit të BOKU të tilla si:
(i)
oferta akademike përfshin reformimin total të ofertës akademike aktuale për
të ofruar programe studimi në nivelin ndërkombëtar në ciklet Bachelor, Master
dhe Doktoratë në shkencat bujqësore, mjedisore dhe ato të jetës të ngjashme me
BOKU, Vjenë,
(ii) kërkimi shkencor me fokus reformimin dhe riorganizimin
institucional të njësive dhe të gjithë veprimtarisë së kërkimit shkencor të
UBT, me qëllim zhvillimin e kërkimeve shkencore ndërdisiplinore të nivelit
ndërkombëtar në shkencat bujqësore, mjedisore dhe ato të jetës sipas modelit të
BOKU, Vjenë
(iii) transferimin e njohurive dhe teknologjisë me fokus
zhvillimin e kapaciteve humane, ndërkombëtare dhe infrastrukturore, për
transformimin e UBT në një Qendër Ekselence Rajonale, për transferimin e
njohurive, teknologjisë dhe inovacionin në sektorin e bujqësisë, ushqimit dhe
mjedisit,
(iv) procesin e dixhitalizimit me fokus zhvillimin e
kapaciteve humane, institucionale dhe infrastrukturore për dixhitalizimin e
mësimdhënies, mësimnxënies, kërkimit shkencor, transferimit të njohurive dhe
teknologjisë, si dhe manaxhimit administrativ të UBT sipas standardeve dhe
modeleve më të mira,
(v) ndërkombëtarizimin me fokus zhvillimin e
kapaciteteve humane dhe institucionale të ndërkombëtarizimit të veprimtarisë së
UBT sipas modelit të BOKU dhe universiteteve homologe të vendeve të zhvilluara
dhe
(vi) modernizimi i procesit të manaxhimit dhe administrimit të UBT
me fokus riorganizimin institucional të UBT, përkatësisht të strukturave
përbërëse dhe funksionimit të tyre sipas përvojës së BOKU, për të modernizuar
gjithë veprimtarinë e drejtimit dhe administrimit të institucionit.
Projekti ”BOKU-UBT 2030“ që do të implementohet për periudhën 4-vjeçare (2024-2028), i hartuar nga grupet e punës të të dy universiteteve, planifikon një reformim të thellë të UBT, me qëllim përafrimin e këtij Universiteti brenda vitit 2030 me standardet e BOKU, Vjenë (universiteti më i mirë dhe më i rankuar në shkencat e jetës në Europë), me synimin final që UBT të funksionojë si BOKU në Tiranë.
Falenderime dhe mirënjohje për çdo institucion dhe koleg të përfshirë në këtë proces që bënë të mundur realizimin e kësaj Marrëveshjeje kaq të rëndësishme jo vetëm për UBT por për të gjithë sistemin e arsimit të lartë në Shqipëri.
Të privelegjuar dhe krenarë nga kjo mbështetje e Qeverisë Shqiptare dhe Austriake, por të përgjegjshëm dhe të vetëdijshēm për sfidat dhe mundësitë që i ofrohen të gjithë stafit të UBT dhe sidomos të rinjve shqiptarë që dëshirojnë të studiojnë në Shqipëri, ku diplomën e Universitetit BOKU, Vjenë mund t‘a marrin në UBT Tiranë.
Së bashku për Universitetin Bujqësor të së ardhmes: BOKU-UBT 2030