Rektori i Universitetit Bujqësor të Tiranës, Prof. Dr. Fatbardh Sallaku dhe Rektori i Universitetit Kirikkale në Turqi, Prof. Dr. Ersan Aslan, firmosën sot Memorandumin e Mirëkuptimit për zgjerimin e bashkëpunimit në fushën arsimore dhe kërkimore.
Në kuadër të kësaj marrëveshjeje të dyja palët do të angazhohen në zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta arsimore e kërkimore për studentët dhe pedagogët, që përfshin shkëmbimin e pedagogëve dhe studentëve, studimin jashtë vendit, programe kërkimore bashkëpunuese, seminare, workshope dhe programe shërbimi.
Përfaqësuesit e të dy universiteteve, ndërsa bënë prezantimin e universiteteve përkatëse, diskutuan edhe për fushat konkrete të zgjerimit të bashkëpunimit mes tyre në vazhdim.
Takimi pasoi me një vizitë në kampusin e UBT, në Laboratorin Kërkimor të Mbrojtjes së Bimëve; në Laboratorin e Analizave të Ujrave të Ndotur për Covid-19, Viruset dhe Rezistencën ndaj Antibiotikëve "Sistemi i Paralajmërimit të Hershëm"; në Laboratorin Shkencor të Mjedisit; në Laboratorin e Teknologjisë së Drurit; Qendrën Didaktike Eksperimentale të Industrisë së Drurit; në Laboratorin e Sëmundjeve Infektive; në Laboratorin e Sigurisë Ushqimore dhe të Farmakologjisë.
Kjo marrëveshje vjen si rezultat i proçesit të ndërkombëtarizimit të ofertës akademike, shkencore dhe transferimit të teknologjive që Universiteti Bujqësor i Tiranës ka ndërmarrë prej kohësh për të përballuar sfidat e zhvillimit afatgjatë të fushave të sektorit bujqësor në drejtim të zhvillimit të burimeve njerëzore, të studimeve shkencore, të gjenerimit të njohurive dhe transferimin e tyre në praktikë.