Rektori i Universitetit Bujqësor të Tiranës, Prof. Dr. Fatbardh Sallaku nënshkroi një Memorandum Bashkëpunimi me Shkollën e Mesme Bujqësore “Rakip Kryeziu”, Fier, përfaqësuar ligjërisht nga Drejtori i saj Z.Alket Merdanaj.
Ky Memorandum do të mundësojë angazhimin e të dyja palëve për të arritur objektivat e bashkëpunimit për ofrimin e skemave graduale të zhvillimit të nxënësve, ofrimin e përditësimit të njohurive për mësuesit e shkollës, ndërtimin e një marrëdhënie të qëndrueshme të UBT me shkollën, përmirësimin e kurrikulave apo zhvillimin e kurrikulave të reja të shkollës nga UBT etj.
Marrëveshja tjetër u nënshkrua me PrimeTECH ALBANIA SHPK, përfaqësuar nga Administratori Z. Endri Polis, një kompani që mbulon fushën e përdorimit të teknologjisë moderne në sektorin e bujqësisë. Qëllimi i marrëveshjes lidhet me krijimin e mundësive të punësimit dhe kryerjes së praktikave mësimore e profesionale për studentët, krijimin e lidhjes së kërkimit shkencor me aktivitetet private dhe industrinë, ofrimin e ekspertizës e konsulencës shkencore nga UBT, organizimin e aktiviteteve të përbashkëta etj.
Ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjeve u zhvillua në ambientet e Shkollës së Mesme Bujqësore “Rakip Kryeziu” në kuadër të një dite të hapur mbi nxitjen e ndërveprimit midis institucioneve të arsimit të lartë, formimit profesional dhe komunitetit lokal.
Në fjalën e tij gjatë takimit, Rektori Sallaku u bëri thirrje të rinjve të bëhen pjesë e arsimit të lartë bujqësor dhe të përfitojnë nga shërbimet dhe mundësitë e vyera që Universiteti Bujqësor po i gjeneron vazhdimisht në drejtim të zhvillimit të procesit të mësimdhënies, kërkimit shkencor, infrastrukturës dhe transferimit të teknologjive në sektorin e bujqësisë.
Për këtë
UBT ishte i pranishëm me stendën dhe stafin e tij për të informuar nxënësit
rreth UBT dhe benefiteve të pakrahasueshme që ata mund të marrin gjatë
studimeve aty, referuar edhe zhvillimeve e qasjeve të fundit inovatore që
Universiteti po ndërmerr.