Profesorët dhe studentët nga Universiteti HAS Green Academy, Holandë u pritën në një takim nga Rektori i Universitetit Bujqësor të Tiranës, Prof. Dr. Fatbardh Sallaku dhe stafi i tij, ku u njohën përmes një prezantimi të shkurtër me UBT, programet e studimit të nivelit Bachelor e Master, mundësitë dhe potencialet akademike e shkencore që ai disponon.
Më pas u zhvillua një takim edhe me studentët e Fakultetit të Bujqësisë dhe Mjedisit dhe Fakultetit të Ekonomisë dhe Agrobiznes, organizuar nga Prof. Asoc. Romina Koto dhe Prof. Asoc. Edvin Zhllima, i cili mori formën e një bashkëbisedimi të hapur për ndarje të eksperiencave dhe diskutimeve në grup mes studentëve nga të dyja palët.
Nga na tjetër, u bë edhe një prezantim i shkurtër rreth Universitetit HAS dhe programeve specifike të studimit atje.
Takimi pasoi me një vizitë në kampusin e AUT, në rezidencat studentore dhe në Laboratorin Kërkimor të Mbrojtjes së Bimëve, në Laboratorin e Analizave të Ujrave të Ndotur për Covid-19, Viruset dhe Rezistencën ndaj Antibiotikëve "Sistemi i Paralajmërimit të Hershëm" dhe në Laboratorin Shkencor të Mjedisit.
Një tjetër vizitë kjo në UBT që aplikon mundësitë e afrimit të mëtejshëm të UBT me universitetet e huaja përmes bashkëpunimit për shkëmbimin e studentëve, shkëmbimin e stafit dhe angazhimin e përbashkët në kërkimin shkencor, duke forcuar kështu akoma më tepër qasjen e UBT për zgjerimin e ndërkombëtarizimit të tij.