Mbyllet Panairi i Punës dhe Aftësive 2023
Përmbyllet Panairi “Work & Study 2023” pjesë e të cilit ishte edhe Universiteti Bujqësor i Tiranës.
Prej 3 ditësh UBT ka qenë pjesëmarrës me stendën e tij në Pallatin e Kongreseve duke informuar maturantët për programet e studimit që ofrohen aty në të gjitha nivelet e studimit.
Maturantët e kryeqytetit patën mundësinë të njiheshin me të gjithë komponentët përbërës të UBT, që nga kriteret e pranimit, degët që ofrohen, akomodimin, kërkimin shkencor, bursat e studimit, degët prioritare, diplomat duale, shërbimet etj.
Ky panair ofron mundësi të mira për të informuar maturantët mbi alternativat e shumta të programeve mësimore të studimeve të larta dhe për t'i orientuar ata drejt degëve më të kërkuara aktualisht në tregun e punës.
Në stendën e UBT janë ndaluar dhjetra studentë përgjatë ditëve, të cilët kanë shprehur interesin e tyre për programe të ndryshme studimi, ku kanë marrë përgjigje nga vetë stafi i Universitetit.
Po ashtu, panairi u vizitua edhe nga Znj.Belinda Balluku - Zv.Kryeministre, Znj. Evis Kushi - Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Z. Nikolin Jata - Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë.
Çdo ditë është zhvilluar edhe Forumi “Klima e Biznesit, Produktiviteti dhe Kapitali Njerëzor”.