Rektori Universitetit Aldo Moro të Barit, Itali, Prof. Stefano Bronzini, viziton Universitetin Bujqësor të Tiranës
Kënaqësi e veçantë të prisnim në ambientet e UBT, Prof. Stefano Bronzini, Rektor i Universitetit Aldo Moro, Bari, Itali; Dr. Maurizio Raeli, Drejtor i CIHEAM (Instituti Mesdhetar Agronomik), Bari, Itali dhe Prof. Teddy Miano, Sekretar i Përgjithshëm i CIHEAM.
Takimi kishte për qëllim vazhdimin e bashkëpunimit ndërmjet dy universiteteve respektive si dhe të CIHEAM në kuadër të shkëmbimit të studentëve, stafit akademik dhe zhvillimit të kërkimit shkencor.
Në mënyrë të veçantë u diskutua mbi hapat që do të ndiqen në lidhje me bashkëpunimin ndërmjet Fakultetit të Mjekësisë Veterinare (FMV) të UBT dhe Universitetit të Barit, me qëllimin përmirësimin e standardeve dhe cilësisë për programet e studimit që ofron ky fakultet nën përvojën më të mirë të universiteteve që ofrojnë këtë diplomë në BE.
Të dy ekipet diskutuan dhe ranë dakort për nevojën e rishikimit të programit të studimit të FVM-së me qëllim orientimin më të mirë të tyre drejt kërkesave të tregut të punës, bazuar kryesisht në përvojën e Universitetit të Barit. Qëllimi final i takimit ka të bëjë me ofrimin e një programi të përbashkët studimi për studimet e Mjekësisë Veterinare në të dy anët e Adriatikut duke aplikuar qasjen e "binjakëzimit" për pedagogët dhe "rotacionin" për studentët.
Të dy rektorët e universiteteve nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi mbi hapat konkretë që duhen ndërmarrë për të bërë të mundur realizimin e kësaj nisme si dhe forcimin e marrëdhënieve ndërmjet të dy institucioneve me fokus, shkëmbimin e studentëve, stafit akademik, pjesëmarrje në aktivitete të ndryshme kërkimore dhe shkencore, etj.