Departamenti i Kimisë (DK) është një prej njësive më të vjetra të strukturave të Universitetit Bujqësor të Tiranës. Në fillimet e veta ka qenë seksion i Departamentit Ndërfakultator, në Fakultetin e Bujqësisë, duke përfshirë disiplinat e Kimisë dhe Biologjisë me emërtimin Seksioni i Kimi-Biologjisë. Pas riorganizimit të strukturave të UBT, në vitin 2007, ky seksion u bë pjesë e Fakultetit të Bioteknologjisë dhe Ushqimit, tanimë si Departamenti i Kimi-Biologjisë. Ndërsa me Vendim Senati të UBT Nr. 36, dt. 15.09.2014 dhe bazuar në Ligjin e Arsimit të Lartë (i ndryshuar), Nr. 10493, dt. 15.12.2011, Neni 23, Pika 3,4, Departamenti i Kimisë egziston si një njësi bazë e Fakultetit tё Bioteknologjisё dhe Ushqimit, dhe përfshin disiplinat e Kimisë Inorganike, Kimisë Organike, Kimisë së Produkteve Natyrore, Kimisë Analitike dhe Metodat Instrumentale të Analizës, etj.
Që në fillesat e veta, disiplinat e këtij departamenti kanë qënë dhe janë pjesë e programeve të studimit për nivelin e parë “Bachelor” të Fakulteteve të UBT (Fakulteti i Bujqësisë dhe Mjedisit, Veterinarisë, Shkencave Pyjore dhe Bioteknologjisë e Ushqimit) si dhe në nivelin e dytë “Master Shkencor” e “Master Profesional” të Fakultetit të Bujqësisë dhe Mjedisit, tё Fakultetit tё Bioteknologjisё e Ushqimit dhe tё Fakultetit tё Shkencave Pyjore.
Programet e studimit:
Departamenti i Kimisё ofron njё program studimi në ciklin e dytë (Master Profesional):
– Master Profesional nё “Analizat e Ushqimeve”
Programi i studimeve Master Profesional “Analizat e Ushqimeve” synon të formojë specialistë tё analizave tё ushqimeve duke u siguruar tё diplomuarve kompetenca profesionale si :
- Specialistë në kryerjen e analizave fiziko-kimike të ushqimit
- Specialistё tё kontrollit tё cilësisë, sigurisë & gjurmueshmërisë së ushqimeve, në të gjitha etapat e zinxhirit ushqimor
- Specialistë të legjislacionit dhe etiketimit për ushqimin
- Specialistё të standardeve të cilësisë dhe sigurisë, gjurmueshmërisë, të të ushqyerit
- Specialistё nё zbulimin e falsifikimeve dhe analizës në sistemin e ushqimit
- Specialistё të aftë të kryejnë proceset e vlerësimit sensorial të ushqimeve
- Specialistë të marrjes, manipulimit, ruajtjes, dokumentimit dhe përdorimit të mostrave për analiza
- Specialistë të përdorimit të pajisjeve dhe aparaturave të laboratorit të analizave të ushqimit, procedurat e matjeve dhe vlerësimit, raportimit, masat e sigurimit teknik dhe zbatimit të praktikave të mira laboratorike.